Shtetet e Bashkuara kanë dyfishuar shpërblimin e tyre për informacionin që çon në arrestimin e Presidentit venezuelas Nicolas Maduro në 50 milionë dollarë për akuzat për trafik droge dhe lidhje me grupe kriminale, njoftoi të enjten Prokurorja e Përgjithshme e ShBA-së, Pam Bondi.
Në një video të postuar në X, Bondi akuzoi Maduron për bashkëpunim me grupe të shquara kriminale si “Tren de Aragua” dhe Karteli “Sinaloa”, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Ministri i Jashtëm venezuelas Yvan Gil tha në Telegram se njoftimi ishte “perdja më qesharake e tymit që është parë ndonjëherë”.
“Ndërsa po demaskojmë komplotet terroriste të orkestruara nga vendi i saj, kjo grua po del me një cirk mediatik për të kënaqur të djathtën ekstreme të mposhtur në Venezuelë”, tha Gil.
“Dinjiteti i atdheut tonë nuk është në shitje. Ne nuk e pranojmë këtë operacion të papërshtatshëm propagande politike”, shtoi ai.
Ministria e Informacionit e Venezuelës nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Shpërblimi u vendos fillimisht në 15 milionë dollarë në vitin 2020, kur prokurorët amerikanë akuzuan Maduron për trafik droge. U rrit në 25 milionë dollarë në janar 2025, ndërsa Maduro u betua për një mandat të tretë, së bashku me sanksione të reja ndaj zyrtarëve të lartë.
Në shkurt, Departamenti i Shtetit i ShBA-së e caktoi zyrtarisht bandën venezuelase “Tren de Aragua” si një organizatë terroriste të huaj, së bashku me MS-13 dhe disa kartele meksikane. Në korrik, DASh gjithashtu e caktoi “Cartel de Los Soles” si një organizatë terroriste globale.
Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio, tha në një deklaratë vonë të enjten se Maduro ka qenë udhëheqës i “Cartel de los Soles” për më shumë se një dekadë, i cili është përgjegjës për trafikimin e drogës në Shtetet e Bashkuara. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.