Lajmet e fundit

Shtetet e Bashkuara thanë se agjencia kryesore e ndihmës e Kombeve të Bashkuara në Gaza duhet të bëjë ndryshime për të "rikthyer besimin e donatorëve" përpara se të rifillojë dhënien e parave për agjencinë.
SHBA ka qenë prej kohësh një donator kryesor për Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punën për Refugjatët Palestinë në Lindjen e Afërt (UNWRA), por SHBA dhe disa vende të tjera ndaluan fondet pasi Izraeli pretendoi se 13 punonjës ishin të lidhur me sulmet e Hamasit të 7 tetorit.
Edhe pse ndihma humanitare është fort e nevojshme në Gaza, SHBA do të vazhdojë pauzën e saj derisa të ketë "ndryshime thelbësore në UNRWA për të parandaluar që kjo të ndodhë përsëri", tha ambasadorja e SHBA në OKB Linda Thomas-Greenfield.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres tha të mërkurën se ai ishte "personalisht i tmerruar" nga akuzat dhe se OKB-ja veproi menjëherë pasi i dëgjoi ato.
Thomas-Greenfield tha se SHBA vlerëson se akuzat po merren seriozisht, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.
"Ne e dimë se Sekretari i Përgjithshëm është zotuar të ndjekë përgjegjësi të mëtejshme, duke përfshirë një rishikim 'gjithëpërfshirës dhe të pavarur' të UNRWA. Ky hetim duhet të jetë i shpejtë, i plotë dhe i besueshëm", i tha ajo Këshillit të Sigurimit të OKB-së të mërkurën.