Lajmet e fundit

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka nxjerrë një urdhëresë që obligon të gjithë operatorët ekonomikë që ofrojnë shërbime të shitjes së produkteve të naftës që në çdo pikë shitëse të vendosin tabelat treguese të çmimeve të produkteve të naftës (Nafta, Benzina dhe GLN).
Sipas kësaj urdhërese, tabelat treguese të çmimeve të produkteve të naftës duhet ta kenë të pasqyruar permanent çmimin e produktit dhe të vendosen para ose në hyrje të pikës shitëse, të ketë dukshmëri të qartë dhe çmimet të jenë të lexueshme.
"Kjo urdhëresë është në vazhdën e mbrojtjes së konsumatorit dhe transparencës me çmime, që qytetari i Kosovës duhet të jetë i njoftuar gjithmonë para se të furnizohet me derivate".
"Të gjithë operatorët ekonomikë në rast të moszbatimit do të ndëshkohen në përputhje me legjislacionin në fuqi", thuhet në komunikatën e kësaj Ministrie.
Ky vendim i ministrit Endrit Shala vjen pas raportimeve në media për çmime më të larta të derivateve të naftës në Kosovë se sa në vendet e rajonit.