Lajmet e fundit

Këngëtari dhe producenti nga Kuba, Livan Rafael Castellanos i njohur si Livam ka ngritur një padi për plagjiaturë ndaj këngëtarëve, Shakira dhe Carlos Vives.
Livam po i akuzon të dy këngëtarët se kanë vjedhur një pjesë të këngës së tij të vitit 1997 “Yo te quiero tanto” dhe e kanë përdorur në bashkëpunimin e tyre, “La Bicicleta” që edhe ka fituar çmimin Grammy për këngën më të mirë latine.
“Nuk kam asgjë kundër Shakira e as Vives, as ndaj askujt tjetër. Është ligji ai që duhet të vendosë nëse këngët dallojnë ose jo”. ka thënë Livam.
Refreni i këngës së Livam thotë “I love you, I love you so much” derisa refreni i këngës së Shakira dhe Vives thotë “I’m dreaming and I love you so much” që për këngëtarin që ka ngritur padi thuhet të kenë melodi të ngjashme, transmeton Klan Kosova.
Livam që punon si kompozitor dhe producent në Madrid ka thënë se ishte vajza e tij tre vjeçare që e ka dalluar se melodia e këngës “La Bicicleta” ngjan me melodinë e këngës së babait të saj.
Kënga “La Bicicleta” ka fituar edhe çmimin nga Billboard si kënga më e mirë latine për vitin 2016.
Livam është shprehur se pavarësisht të gjithave, ai është i lumtur për arritjet e kësaj këngë.
“Unë jam muzikant, por thjesht nuk dua të më vjedhin”, ka përfunduar ai.