Lajmet e fundit

Shaip Kamberi, deputet nga Bujanovci, kryetar i grupit të vetëm opozitar në parlamentin serb, ka kritikuar politikën e Vuçiqit ndaj shqiptarëve në jug të Serbisë, që i diskriminon ata në të drejtat e tyre si dhe ekonomikisht.
Deklaratat e Kamberit në disa seanca të Kuvendit të Serbisë e kanë kthyer atë në qendër të vëmendjes në opinionin serb. Kamberi u kritikua e sulmua pasi përmendi krimet, diskriminimin, por edhe gjendjen e politikës në Serbi. Shumë serbë e lavdëruan duke e quajtur liderin e ri të opozitës serbe, pasi replikat kryesore në Kuvend zhvillohen mes Shaip Kamberit dhe deputetëve që shumica i takojnë maxhorancës. Pas zgjedhjeve parlamentare të 21 qershorit, qeveria u formua katër muaj me vonesë dhe me paralajmërimin, se kjo qeveri do të ketë kohë të limituar prej një viti e gjysmë. Serbët do të mund të votojnë sërish për parlamentin dhe njëkohësisht edhe për presidentin e vendit në prill të vitit 2022. Shumë parti opozitare i bojkotuan zgjedhjet pasi ishin të mendimit, se nuk ka kushte të mjaftueshme për zgjedhje të lira dhe demokratike, duke akuzuar presidentin serb, Alleksandar Vuҫiq për kontroll total të mediave. Kamberi ka theksuar se vetë përbërja e kuvendit dëshmon një absolutizëm të pashoq në parlamentarizmin e Serbisë. "Një mungesë absolute e tolerancës ndaj kërkesave tona politike dhe ndaj gjithҫkaje që shtrojmë në këtë parlament. Është shumë e qartë që jemi peng të një situate dhe raporti që Serbia e ka karshi Kosovës duke i konsideruar shqiptarët armiq të përhershëm dhe numri një i këtij shteti i mohon të drejtat tona që janë të garantuara me vetë kushtetutën e Serbisë duke refuzuar të vazhdojë dialogun e nisur në vitin 2013, por të cilin vetë qeveria e Serbisë e kishte ndërprerë me shuarjen e gjykatës në Preshevë dhe me disa masa që kthejnë pozitën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në mënyrë retrograde", u shpreh ai. Kamberi theksoi se edhe pse shqiptarët, shumë shpesh kanë firmosur marrëveshje me Qeverinë e Serbisë, kanë shprehur gatishmëri për integrim në Serbi, por sipas tij, nuk ka pasur shumë lëvizje. "Ne kemi tri marrëveshje politike të nënshkruara me qeveritë e Serbisë. Kemi marrëveshjen e vitit 2001, pas përfundimit të konfliktit, në vitin 2009 kemi një rikonfirmim të asaj marrëveshjeje me prezencën e OSBE-së dhe në vitin 2013, kemi planin shtatë pikësh, të cilin Qeveria e Serbisë e kishte aprovuar pa asnjë ndryshim". "Një dokument, të cilin e kishin hartuar partitë politike shqiptare për avancimin e të drejtave të shqiptarëve. Megjithatë, në praktikë nuk kemi lëvizje pozitive, thashë se kemi lëvizje retrograde me mbylljen e gjykatës, prokurorisë, me mbylljen e institucioneve të shumta rajonale duke centralizuar skajshëm gjithҫka. Pra mungesa e vullnetit politik këtu në Beograd është fajtori kryesor për mos integrimin e shqiptarëve. Kemi një pakicë, e cila jeton e koncentruar në tri komuna dhe e cila në vazhdimësi në 18 vitet e fundit shpreh vullnet për t‘u integruar. Dhe, kemi në anën tjetër një shtet i cili refuzon në tërësi kërkesat tona për integrim. Duke qenë të zhgënjyer me këtë proces, ne shohim si të vetëm zgjidhje mundësinë e kyçjes së temës së Luginës së Preshevës në bisedimet Kosovë-Serbi, në formën e ndërtimit të një reciprociteti me të drejtat e serbëve në Kosovë", ka thënë Kamberi për DW.