Lajmet e fundit

Mëngjesin e së enjtes kanë nisur gërmimet tek cepi verior i Urës së Ibrit, ku para luftës ishte e ndërtuar një xhami, në të cilën dyshohet se ishin futur dhjetëra shqiptarë, para se ajo të digjej nga forcat serbe më 1999.
Gërmimi u bë në formë të kanalit që shkoi në thellësi deri në dy metra. Por në fazën e parë nuk dhanë ndonjë rezultat. Krejt çka u gjet ishte një fotografi që u shikua me vëmendje nga të pranishmit, por që pas verifikimit nuk rezultoi të jetë identitet i ndonjë të zhdukuri.
Puna vazhdoi edhe në gërmimin e dy kanaleve tjera mirëpo as në fazat tjera nuk u zbulua gjë.
Në këtë situate gërmimet u ndërprenë, gjë që solli edhe zhgënjim.
Kryetar i shoqatës së të pagjeturve në Mitrovicë, Bajram Qerkini shtoi se në veri janë edhe tetë lokacione të dyshuara për varrezë masive derisa në Mitrovicë vazhdojnë të konsiderohen si të zhdukur edhe 132 persona.
Kronikë nga Vullnet Krasniqi