Lajmet e fundit

Instituti Gjyqsor i Kosovës në bashkëpunim me Këshillim Prokurorial të Kosovës dhe Policinë e Kosovës si dhe me mbështetjen e projektit të BE-së WINPRO III, ka organizuar tryezën e rrumbullakët me temë: “Mbrojtja e Dëshmitarëve – Sfidat në zbatimin praktik të legjislacionit”.
Qëllimi i kësaj tryeze ishte diskutimi mbi sfidat, problemet dhe praktikat aktuale në Programin për Mbrojtjen e Dëshmitarëve si dhe rolin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe policisë në zbatimin e këtij programi.
Prokurori në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Lulzim Sylejmani dhe Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtjen e Dëshmitarëve, Skënder Rrahmani treguan për situatën aktuala mbi dëshmitarët në kuadër të Programit mbi Mbrojtjen e Dëshmitarëve.
Aty u theksua se Drejtoria për Mbrojtjen e Dëshmitarëve është plotësisht funksionale dhe posedon teknologjinë e fundit në zbatim të programit dhe mund të aplikohen të gjitha masat e parapara me ligj.
Kurse pjesëmarrësit në këtë tryezë vlerësuan kapacitetet e Drejtorisë për Mbrojtjen e Dëshmitarëve dhe theksuan se ky program është tejet i rëndësishëm për luftimin e veprave të rënda penale.
Por, si sfidë kryesore u theksua krijimi i besimit të dëshmitarëve për këtë program, për të cilën pjesëmarrësit u zotuan që do të angazhohen brenda kompetencave të tyre.
Kryetarët e gjykatave dhe kryeprokurorët u zotuan në inkurajimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për paraqitjen e kërkesave për futjen në program të dëshmitarëve.