Lajmet e fundit
Thuajse në të gjitha spitalet regjionale edhe më tutje janë duke munguar barnat e Listës Esenciale. Drejtori Klinik në Spitalin e Gjilanit, Nisret Hajrullahu, ka thënë se aktualisht janë duke munguar 22 barna nga Lista Esenciale.

Institucionet publike shëndetësore në Kosovë vazhdojnë të mos i përmbushin të gjitha kërkesat e pacientëve sa i përket furnizimit me barna nga Lista Esenciale, si dhe furnizimit me material shpenzues.
Për shkak të mungesës së furnizimit, qytetarët detyrohen t’i blejnë vetë produktet medicinale, të cilat u nevojiten për trajtime mjekësore.
Drejtori Klinik në Spitalin e Gjilanit, Nisret Hajrullahu, në një prononcim për gazetën “Zëri” ka thënë se furnizimi me barna nga Lista Esenciale në këtë spital nuk është as 60%.
Sipas tij, furnizimi me material shpenzues është edhe më i ulët.
“Diku 35% është furnizimi me material shpenzues, ndërsa me barna diku 55%. 22 barna nga Lista Esenciale na mungojnë. Në Listë Esenciale janë diku më shumë se 70 barna”, ka thënë ai.
Për mungesat e këtyre produkteve medicinale, Hajrullahu ka fajësuar operatorët ekonomikë.
“Nuk ka faj Ministria e Shëndetësisë, por këtu janë përgjegjës operatorët ekonomikë me të cilët ka kontraktuar Ministria e Shëndetësisë. Janë lidhur kontratat, por ata nuk i realizojnë ato”, ka thënë ai./ Zëri