Lajmet e fundit

Nën kryesimin e ministres për Dialog, Edita Tahiri, delegacioni i Qeverisë së Kosovës ka zhvilluar takimin e radhës trepalësh të ndërmjetësuar nga BE për zbatimin e marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Temë qendrore e këtij takimi ishte shqyrtimi i progresit për procesin e ndërtimit të ndërtesave të përhershme të IBM-së. Kryesuesi i BE-së, Bernd Thran, në takim theksoi rëndësinë e progresit të arritur, duke vlerësuar si një zhvillim shumë të rëndësishëm për rritjen e efikasitetit në fushën e menaxhimit të integruar të kufirit.
Delegacioni kosovar prezantoi progresin e arritur në përmbushjen e obligimeve të saj, ndërsa vlerësoi bashkëpunimin konstruktiv me UNOPS-in dhe zyrën e BE-së në Kosovë.
Poashtu ata theksuan veprimet që i kanë ndërmarrë me qëllim të zbatimit sipas planit të ndërtimit të objekteve të përhershme, duke kryer me sukses shpronësimin e parcelave ku do të ketë ndërtime, pastaj takimet që i ka zhvilluar me akterët e brendshëm dhe me UNOPS-in, agjenci kjo e përzgjedhur nga ana e BE-së për zbatimin e këtij projekti.
"Delegacioni i Kosovës konfirmoi se është hartuar plani i dinamikave të ndërtimit, është arritur pajtueshmëria për projektimin dhe janë diskutuar detajet e funksionimit sa më të përshtatshëm të pikëkalimeve kufitare sipas standardeve më të larta për autoritetet shtetërore që operojnë në pikë kalime kufitare".
"UNOPS në anën tjetër konstatoi se pala serbe është shumë më prapa me fillimin e punës konkrete me UNOPS-in për këtë projekt. UNOPS do të përfshi ndërtimin e të gjitha gjashtë pikëkalimeve kufitare në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë".
"Në këtë takim u raportua poashtu për progresin në hapjen e pikëkalimeve të reja kufitare, Kapi e Sfircës që lidhë komunën e Kamenicës me Medvegjën dhe Izvor në pjesën veriore, me ç‘rast të dy palët konfirmuan hapjen e këtyre dy pikë kalimeve të reja kufitare deri në fund të muajit shtator 2016" bëhet e ditur në një njoftim për media të Qeverisë së Kosovës, transmeton Klan Kosova.