Lajmet e fundit

Misioni i Serbisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, i ka shkruar Notë Proteste kësaj organizate për shkak të prezencës së përfaqësuesve të Kosovës në samitin kundër terrorizmit të organizuar nga presidenti amerikan Barack Obama, shkruan Tanjug, transmeton Klan Kosova.
Ky veprim është bërë në marrëveshje me Ministrin e Jashtëm të Serbisë Ivica Daçiq, i cili po ashtu ka deklaruar se Kosova nuk mund të bëhet pjesë e UNESCO-s pa u diskutuar kjo çështje në Bruksel.
Sipas televizionit publik serb RTS, përfaqësuesit e Kombeve të Bashkuara kanë thënë se samiti kundër-terrorizmit është një mbledhje private e organizuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kjo është arsyeja se pse Kosova është trajtuar si një shtet i pavarur.
Ambasadori rus në OKB, Vitaly Chukin po ashtu është ankuar për prezencën e përfaqësuesve të Kosovës, duke shtuar se Amerika po e ofendon OKB-në duke e trajtuar provincën jugore të Serbisë si shtet të pavarur.
Një reporter i Radiotelevizionit të Serbisë në New York, ka thënë se në këtë samit është vërejtur prezenca e policisë amerikane dhe jo ajo e OKB-së, çka po ashtu është e pazakonshme.