Lajmet e fundit

Subjekti i quajtur “Partia e serbëve të Kosovës” ka reaguar pas vendimit të katër Kuvendeve Komunale nga veriu i Kosovës në Zveçan për dalje nga institucionet e Kosovës nëse nuk arrihet një zgjidhje për targat dhe letërnjoftimet e lëshuara nga Serbia.
Në një reagim për media thuhet se veprimi i sotëm i Listës Serbe paraqet pjesën e fundit të operës tragjike me regji të presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Sipas këtij subjekti, Lista Serbe nuk përfaqëson popullin serbë, por vetëm ata serb të shantazhuar, të cilët duhet t'i votojnë për të ruajtur një ekzistencë minimale për familjen e tyre:
Seanca e sotme e përbashkët e katër Kuvendeve Komunale nga veriu i Kosovës në Zveçan paraqet aktin e fundit të operës tragjike me regji të Aleksandar Vuçiqit dhe interpretuar nga Lista Serbe. Pa turp sot për të disatën herë fshihen pas veprës serbe dhe e përmendin në çdo fjali ata që e quajnë veten kampionë të Serbisë nga Kosova.
Zotërinj nga lista serbe, po harroni se nuk përfaqësoni popullin serb, por vetëm ata serb të shantazhuar, të cilët kanë qenë të detyruar t'ju votojnë për të ruajtur një ekzistencë minimale për familjen e tyre. Sot, me gjithë frikën dhe tensionet që janë të përditshme në veri të Kosovës, duke iu falënderuar juve dhe kryeministrit tuaj Albin Kurti që sollët të gjithë qytetarët (serbë, shqiptarë, goranë, boshnjakë, rom,...) në veri të Kosovës në gjendje histerie të “paraluftës”, ju i jepni vetes të drejtën të përcaktoni të ardhmen e një pjese të popullit tonë në Kosovë, duke harruar me vetëdije serbët në jug të Ibrit.
Ne, që e njohim shtrirjen tuaj intelektuale, e dimë se këto nuk janë fjalët dhe idetë tuaja, por mos harroni se e gjithë përgjegjësia për fatin e serbëve në Kosovë aktualisht është në duart tuaja, edhe pse sot edhe një herë na keni vënë në duart e manipuluesit politik nga Beogradi, i cili edhe e nënshkroi Marrëveshjen e Brukselit.
Sot sapo i dhatë një alibi boshe njeriut që do të na lërë në Prishtinë dhe kryeministrit tuaj Albin Kurti, si shumë herë më parë. Vetëm mos harroni se serbët nuk do ta harrojnë këtë frikë dhe trazirë dhe këtë tradhti, dhe nuk do ta pranojnë aq lehtë, sepse në fund të fundit ka shumë serbë të tjerë në Kosovë që mendojnë me kokë të vetë dhe të cilëve ju tashmë po i dukeni si njerëz të një të shkuare të shëmtuar.
Partia e Serbëve të Kosovës