Lajmet e fundit

Një grup senatorësh amerikanë i përbërë prej dy partive, paraqiti një projektligj me qëllim që ta ngritë presionin mbi Rusinë.
Me këtë ata synojnë që ta mbajnë përgjegjëse Rusinë rreth ndërhyrjes së Moskës në zgjedhjet amerikane, aktiviteteve në Siri dhe agresionit të saj në Krime.
“Regjimi aktual i sanksioneve ka dështuar ta ndalojë Rusinë të mos ndërhyjë në zgjedhjet e ardhshme afatmesme të vitit 2018”, ka thënë senatori republikan, Lindsey Graham.
Kongresi miratoi një projektligj të sanksioneve kundër Rusisë edhe gjatë verës së kaluar, mirëpo disa ligjvënës ishin skeptikë nëse administrata Trump do t’i zbatonte ato, ndërkaq senatori demokrat, Bob Mendendez, ka thënë se administrata nuk është plotësisht në pajtim me këto sanksione, transmeton Klan Kosova.
“Ky projektligj është hapi tjetër për ta shtrënguar Kremlinin dhe do të vendosë dënimin e plotë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, në mënyrë që Putini ta kuptojë më në fund se Shtetet e Bashkuara nuk do të tolerojnë më sjelljen e tij”, ka thënë ai.
Projektligji parasheh kufizime mbi transaksionet e reja ruse, energjinë dhe projektet, importet ruse të uraniumit dhe sanksione të reja mbi figurat politike dhe oligarkët rusë.