Lajmet e fundit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka shkruar në llogarinë e tij në facebook arsyet se pse nuk duhet të votohet Gjykata Speciale.
Selimi ka shkruar se deklarata e Kryeprokurorit të Task Forcës Hetimore Speciale, Clint Williammson, është argumenti kryesor që tregon se Gjykata Speciale ia faturon Kosovës dhe shqiptarëve, siç thuhet, spastrimin etnik.
Deputeti i Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se kolegët e tij, përfaqësues të popullit, nuk duhet ta votojnë specialen.
“Deputet e Kosovës kurrë nuk do të duhej ta marrin përsipër që me votën e tyre t'ia ngarkojnë Kosovës barrën e spastrimit etnik, për asnjë periudhë kohore. Deklarata e Williamsonit është arsyeja më bindëse dhe argumenti kryesor që duhet refuzuar themelimin një gjykate të tillë”, ka shkruar Selimi.
Selimi i fton ata që mendojnë se gjykata nuk e dëmton Kosovën, që të lexojnë paragrafin dytë në faqen 2 të tekstit të mëposhtëm të deklaratës së Kryeprokurorit të Task Forcës Speciale.
Ai postimit të tij në facebook, ia ka bashkangjitur edhe fotografitë me deklaratat e prokurorit Williamson.