Lajmet e fundit

Ministri i Drejtësisë Selim Selimi është takuar me shefin e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë Frank Power dhe zyrtarë të KE-së.
Gjatë këtij takimi, Selimi e ka njoftuar Power për disa procese prioritare të MD-së, si Rishikimin Funksional të Sundimit të Ligjit, i cili tashmë është në fazën përfundimtare, legjislacionin lidhur me fuqizimin e luftës kundër korrupsionit, ecurinë e ligjit për funksionalizimin e Gjykatës Komerciale, procesin e hartimit të raportit nga Grupi Punues për llogaridhënie duke përfshirë edhe Vettingun, si dhe një sërë çështjesh që lidhen me reformën në drejtësi.
Selimi ka falënderuar Këshillin e Evropës për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës, veçanërisht në sektorin e drejtësisë.
Ministri i Drejtësisë nga zyrtarët e KE-së u informua për tri projektet e tyre kyçe në Kosovë, respektivisht Projektin kundër Krimit Ekonomik PECK III, Përforcimin e luftës kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje - faza II VA, si dhe për Forcimin e Cilësisë dhe Efikasitetit të Drejtësisë në Kosovë KoSEJ II.
Veçanërisht është diskutuar për njërin nga projektet e KE-së me Ministrinë e Drejtësisë për grumbullimin dhe analizimin e të dhënave nga sektori i drejtësisë sipas metodologjisë së CEPEJ-it, rezultatet e së cilës analizë dhe të dhënat e grumbulluara kanë shërbyer gjithashtu edhe në procesin e Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit, si dhe më pas në procesin e hartimit të Strategjisë Sektoriale për Sundimit e Ligjit.
Power e ka falënderuar ministrin Selimi në emër të Këshillit të Evropës për bashkëpunimin e frytshëm përgjatë këtyre viteve dhe e ka vlerësuar si shumë pozitive seriozitetin me të cilën Qeveria e Kosovës i referohet ekspertizës së Komisionit të Venecias, që dëshmon vullnetin e vendit tonë për të respektuar demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut.
Selimi dhe Power kanë shprehur gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Evropës në çështjet kyçe të cilat e avancojnë sistemin tonë të drejtësisë.