Lajmet e fundit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka folur për themelimin e Gjykatës Speciale në Kosovë, duke thënë se kjo Gjykatë do të gjykojë ata që luftuan që të ndaleshin krimet e Serbisë në Kosovë.
“Është bërë një Gjykatë Speciale që gjykon ata të cilët u munduan të mos ndodhin masakra në Kosovë, ata që i dënuan këto masakra”.
“Institucionet e Kosovës kanë mundur ta ndalojnë Gjykatën Speciale, ka qenë e mundur që një Gjykatë e tillë të bëhet për Serbinë. Por të varej nga Rusia, Kosova nuk do të ekzistonte, Serbia do të ishte këtu dhe ne do të ishin tashmë të spastruar – kjo nuk qëndron”.
Selimi që është i ftuar në Info Magazine të Klan Kosovës ka deklaruar se Gjykata Speciale ka qenë një kërcënim krejt i drejtpërdrejtë për deputetët e Kosovës.
“Nuk është dashur të pranohet nga deputetët, por të kundërshtohet. Nëse është bërë fjalë se a ka bërë sa duhet punë drejtësia vendore – unë them se nuk ka bërë. Nëse nuk ka bërë punë drejtësia vendore, ne e kemi pasur edhe UNMIK-un, nëse nuk ka bërë UNMIK-un ne e kemi pasur Hagën, nëse Haga nuk ka bërë ne e kemi EULEX-in”.
“Nëse edhe këta nuk kanë bërë domethënë problemi ka qenë diku tjetër. Në krejt këto padrejtësi është bërë edhe një padrejtësi tjetër siç është Gjykata Speciale”.
Sipas deputetit Selimi, askush nuk po dënohet për krimet dhe masakrat që janë kryer në Kosovë nga ana e Serbisë.
“Askush nuk po dënohet për krimet që e zgjuan në këmbë Europën, as nga Europa as nga dikush tjetër”.
“Unë emrin tim asnjëherë nuk do ta ndaja nga UÇK-ja. Sot akuzohet UÇK-ja dhe unë jam pjesë e saj. Është akuzuar dhe po vazhdon të akuzohet më shumë qëllimi i UÇK-së sesa diçka tjetër”.
“Sot edhe para Gjykatës Speciale e kemi Haradinajan në burg. Nuk është Specialja ajo e cila determinon imunitetin e ushtarëve të UÇK-së. Kjo gjykatë sulmin më të madh ia ka bërë lirisë së Kosovë dhe ushtarëve të saj”.