Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi thotë se mbështesin qëndrimet e kryeministrit Albin Kurti për zëvendësimin e taksës me masë reciprociteti me Serbinë.
Selimi në një intervistë për Ekonomia Online thotë se si Grup Parlamentar do të mbështesin në plotni qëndrimet e Qeverisë Kurti pasi që beson se është një projekt që meriton mbështetjen edhe të opozitës.
“Ne në parlamentin e Kosovës, tashmë jemi mazhoranca dhe do të jemi në mbështetje të qeverisë Kurti. Jam shumë i sigurt që nuk do të kemi nevojë që ta kritikojmë, po të ketë nevojë do të bënim por nuk do të kemi nevojë. Sepse qeveria Kurti, tashmë është një projekt i cili kërkon mbështetjen jo vetëm të mazhorancës por besoj do ta përvetësojë mbështetjen edhe të opozitës. Në projekt i cili do të sillet në Kuvendin e Kosovës, por do të jemi të gatshëm ta mbështesim projektin i cili dihet tashmë se cili është”, thotë ai.
Shefi i deputetëve të VV-së, thotë se reciprociteti është kërkesë e kamotshme e Lëvizjes Vetëvendosje dhe për këtë thotë se është protestuar dikur edhe në pikat kufitare në Merdarë e Dehu u Bardhë.
“Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje do ta mbështesë qeverinë Kurti, edhe në qëndrimet sa i përket taksës ose zëvendësimit të taksës me masa reciprociteti me Serbinë. Pra taksa ndaj mallrave serbe do të zëvendësohet me, që i bie do të avancohet edhe në rrafshin politik me masa reciprociteti qëndrim të cilin e kemi pasur tash e sa vite ose prej se është kjo çështje në diskutim qëndrim të cilin e kemi mbështetur dhe me aktivitet tona konkrete duke përfshire në kuvendin deri në protesta në kufi. Për opinionin ndoshta ju kujtohen protestat tek Dheu i Bardhë edhe në Merdarë pra atë qëndrim që kemi pasur atëherë sa i përket mallrave serbe e kemi edhe tash, sepse ne duhet të zbatojmë masa reciprociteti, në rrafshin ekonomik, politik”, thotë ai.
Përveç efektit ekonomik, Selimi thotë se reciprociteti do të ketë edhe efekt politik dhe se Kosova do të shënojë avancim në raport me Serbinë, transmeton Klan Kosova.
“Reciprociteti do të ketë efekt politik përtej efektit tregtar që ka taksa. Ne kurrë nuk kemi thënë që taksa është e keqe madje reciprociteti mund të përfshijë masa tarifore në raste te ngjashme. Kështu që mendoj që është avancim raporti i Kosovës ndaj Serbisë edhe në rrafshin politik nëse zbatojmë masa reciprociteti në rrafshin politik, ekonomik dhe tregtar qoftë përmes një takse po që se tarife tregtare apo të ngjashme”, thotë ai.
●●●
Shpërndaje këtë artikull
SZ
SHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.