Lajmet e fundit

Ish-komandanti i UÇK-së, Sylejman Selimi është duke thënë fjalën e tij në seancën gjyqësore ku ka deklaruar se i ka shërbyer vendit me ndershmëri.
Selimi ka folur edhe për datat 9,10, 11 dhe 12 gusht kur pretendohet se janë kryer krimet për të cilat akuzohet duke thënë se pretendimi se e ka maltretuar dikë është e pavërtetë, njofton Klan Kosova.
“Forcat serbe kanë depërtuar në objekt me 9,10,11 dhe 12 gusht dhe të pretendohet që ky objekt të rregullohet për dy ditë kur nuk ke pasur mundësi të lëvizjes e as ushqim është e pavërtetë dhe e paqëndrueshme, nuk ka pasur asnjë mundësi”.
Ai ka insistuar se është e pavërtetë se ai ka maltretuar dikë, duke shtuar se ka luftuar për vendin e tij.
“Të pretendohet se e kam maltretuar dikë në këtë objekt është e pavërtetë dhe asnjëherë në jeten time nuk jam marrë me maltretimin e dikujt, kam luftuar përr vendin tim me qytetarët tanë me aq sa kam mundur e sa kemi pasur mundësi”.
Selimi ka thënë në këtë seancë gjithashtu se drejtësia do të vjen në vend por jo me paragjykime dhe supozime, por vetëm me fakte.
Kjo seancë është duke u mbajtur në Gjykatën e Apelit pasi mbrojtja kishte apeluar vendimin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, kundër dënimit të Sami Lushtakut, Sylejman Selimit, Jahir Demakut,të gjithë të akuzuar për Krime Lufte.