Lajmet e fundit
Zëvendësministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Petrit Selimi po qëndron në një vizitë në Izrael, si i ftuar i Ministrisë së jashtme izraelite në Forumin e pestë global për luftimin e antisemitizmit, që po mbahet në Izrael.

Konferenca është hapur nga kryeministri Benjamin Netanyahu, ndërsa në mesin e panelistëve ishin mbi 1000 mysafirë nga 40 shtete nga mbarë bota.
Selimi, njëri nga nismëtarët për vendosjen e gurit përkujtimor kushtuar viktimave të Holokaustit, në oborrin e Qeverisë së Kosovës, ka pasur edhe takime të ngjeshura me zyrtarë izraelitë dhe krerë të organizatave të ndryshme hebraike.
Fillimisht, zëvendësministri Selimi ka takuar ambasadorin Zvi Rav-Ner, drejtor për Evropë dhe Azi në Ministrinë e jashtme izraelite, si dhe drejtorin për Ballkan, ambasadorin Dan Oryan. Në këtë takim janë diskutuar zhvillimet në Ballkan dhe Lindje të Mesme, implikimet e tyre në marrëdhëniet midis dy popujve dhe shteteve dhe në progresin e Kosovës në njohje multilaterale. Ai ka kërkuar që shteti i Izraelit të vlerësojë progresin e shënuar në vitet e fundit, vendimin e GJND-së, dialogun me Serbinë, etj, për të bërë hapin final drejt njohjes.
Selimi u takua edhe me shumë personalitete tjera të rëndësishme nga Izraeli.