Lajmet e fundit
Drejtuesit e Lëvizjes për reforma në PDSH dhe RDK-së në Maqedoni, Ziadin Sela dhe Vesel Memedi zyrtarizuan koalicionin të cilin e quajtën Aleanca për shqiptarët.

Koalicioni parashikon që dy forcat në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Maqedoni, të garojnë me lista të përbashkëta dhe rreth një Platforme të përbashkët, nga e cila do të dalin kërkesat për zgjidhjen e çështjes shqiptare në Maqedoni.
Sela tha se platforma është në përpilim e sipër ndërsa shpalosi vetëm disa nga pikat bazë.
“Maqedonia të shpallet shtet bi-nacional në të cilin në mënyrë të barabartë do të respektohet gjuha shqipe edhe maqedonishtja, ndarja e buxhetit jo të drejtë siç thonë disa liderë politikë, sepse kjo fer do të varej nga dëshira e mirë ose e keqe e një kryeministri të ardhshëm për ta ndarë fer buxhetin, por ndarja e buxhetit e rregulluar me ligj me prerje lokale që është konform politikave moderne për një decentralizim të mirëfilltë të pushtetit. Kjo nënkupton që përqindja më e madhe e TVSH, e akcizave që paguajnë qytetarët në Tetovë të ngelin në Tetovë. Dhe kuptohet shteti bi-nacional imponon edhe nevojën e sjelljes së vendimeve tërësisht konsensuale”, tha Ziadin Sela, kryetar i Lëvizjës për Reforma në PDSH.
Kryetari i RDK-së, Vesel Memedi tha se kjo aleancë do të jetë e hapur për të gjithë intelektualët, organizatat joqeveritare dhe subjekte të tjera politike, pikëpamjet e të cilëve përputhen me platformën e tyre,transmeton AlsatM.