Lajmet e fundit

Ish Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka përkujtuar në 15 vjetorin e vdekjes ish Presidentin historik, Ibrahim Rugova.
“Në 15 vjetorin e ikjes në amshim të Ibrahim Rugovës kujtojmë kapërcimet e tij si prijës, dhe kapërcimet kolektive të popullit që ishte gjithmonë krah tij. Rrugëtimi i vështirë individual i Ibrahim Rugovës në rrafshin personal dhe atë politik, është sinonimi i rrugëtimit të shoqërisë sonë”, është shprehur Sejdiu, njofton Klan Kosova.
“Të gjitha proceset politike në vend për të cilat punoi pareshtur, liri, pavarësi, demokraci mbajnë përjetësisht identifikimin me të, mbajnë identitetin e Ibrahim Rugovës. Sot e përmot, pesha individuale e Rugovës, përballë proceseve nacionale jeton dhe do të jetojë bashkë me kombin tonë. Ajo ruhet me frymën e durimit, të cilën ai e praktikoi përherë. Sot e përmot do të mbetet përveç si frymëzim, edhe model sjelljeje e veprimi në rrafshin njerëzor, krejtësisht njerëzor, por edhe në atë politik”.
Sejdiu ka thënë se fryma dhe idetë e Rugovës jetojnë në memorien e shtetit të Kosovës dhe si të tilla do të ruhen përjetësisht.
“Janë themelet e shtetit të Kosovës që mbahen fort në identifikimin me Ibrahim Rugovën, me njeriun që jetoi e veproi njerëzisht e paqësisht, edhe në rrethanat më sfiduese për vendin tone”.
“U bë për të gjithë, duke i bërë të gjithë bashkë! Mbeti një dhe njëjtë përherë”.
“Kosova dhe qytetarët e saj, kanë nevojë për një politikë të tillë, për një shkollë të tillë mendimi, për një vizionaritet e largpamësi si ajo e Ibrahim Rugovës!”.