Lajmet e fundit

Avokati Emrush Kastrati që mbron Murat Jasharin që është i dyshuari kryesor për plagosjen e djeshme të avokatit Azem Vllasi ka bërë të ditur se seanca dëgjimore për klientin e tij do të mbahet sot me fillim nga ora 14:00.
Kastrati i kontaktuar nga Klan Kosova ka thënë se klienti i tij mund të ketë nevojë për trajtim psikiatrik.
“Përshtypja ime është se klienti im ka nevojë për një trajtim psikiatrik”.
Murat Jashari gjatë ditës së djeshme ka pranuar se ka dashur ta vrasë Azem Vllasin, pasi atë e konsideron tradhtar.
Jashari, që zyrtarisht është i dyshuari kryesor për plagosjen e Vllasit, ka thënë po ashtu se pos tij është edhe një grup i madh i njerëzve me të cilët ai bashkëpunon.
Vëllai i Ismet Jashrit, ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në deklaratën e tij, po ashtu ka përmendur edhe emrin e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, por edhe të zyrtarëve të tjerë të Kosovës, të cilët ai i cilëson si tradhtarë.
Ndërsa i dyshuari tjetër për plagosjen e djeshmë është Avni Llumnica, vëllai i dëshmorit, Nexhmi Llumnica, i vrarë nga policët serbë në maj të vitit 1999 në Konushevc të Podujevës.
Azem Vllasi gjatë ditës së sotme është liruar nga spitali dhe është në gjendje të mirë shëndetësore pas ndërhyrjes kirurgjike që ka pasur dje për largimin e predhës.