Lajmet e fundit

Më 21 qershor 1990 u mblodh për herë të fundit Kuvendi i Kosovës i asaj periudhe.
Në seancën e fundit në të cilën pati shumë tensione, delegatët shqiptarë propozuan futjen në rend të ditës ndryshimet kushtetuese me anë të së cilave Kosova fitonte Autonominë në kuadër të Federatës Jugosllave, njofton Klan Kosova.
"Ne jemi në Jugosllavi dhe kemi me qenë në Jugosllavi, Autonominë e Kosovës kërkush nuk na ka falë, as nuk do të lejojmë të na e marr dikush", ishte fjalimi i fundit i një deputeti shqiptar në Kuvendin Krahinor të Kosovës më 1990.
Por, kjo iniciativë u kundërshtua ashpër nga deputetët serbë.
"Mendoj se kjo është ide separatiste dhe nëse ky kuvend nuk distancohet nga këto diskutime, unë propozoj të ndërpritet kuvendi, përndryshe nuk do të jetë kjo shtëpi tubim zyrtar ku do të shpallet Kosova, Republikë", ishte një nga reagimet e tyre.
Pas debatit nga të dyja palët, në kuvend u krijua tollovi. Në fund, kryesuesi ndërpreu mbledhjen për ta shtyrë atë në një kohë të pacaktuar.
Megjithatë ky afat nuk do të vinte më, pasi kjo përbërje nuk u mblodh asnjëherë.
Kjo ngjarje i paraprin tubimit të shqiptarëve më 2 korrik të atij viti. Ata aprovuan Deklaratën Kushtetuese që e shpallte Kosovën njësi të veçantë në kuadër të Jugosllavisë.
Kjo kulmoi më pas më 7 shtator, me atë që njihet si Kushtetuta e Kaçanikut, në të cilën Kosova shpallet Republikë.