Lajmet e fundit

Kalimi i kufirit vetëm me letërnjoftim në pikën kufitare në mes të Kosovës dhe Maqedonisë është konfirmuar edhe nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Ndonëse ende nuk është nënshkruar marrëveshja midis dy shteteve, Ministria e Punëve të Brendshme, e udhëhequr nga Skender Hyseni, ka konfirmuar se së shpejti pritet të bëhet një gjë e tillë.
“Duke u bazuar në marrëveshjen për kushtet e udhëtimit për shtetasit e Republikës së Kosovës dhe shtetasit e Republikës së Maqedonisë, e cila ende nuk është nënshkruar (por pritet të nënshkruhet) parashihet kalimi i kufirit në mes të dy vendeve me letërnjoftim”, thuhet në përgjigjen e MPB-së dhënë për gazetën “Zëri”.
Ndryshe, zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Muhamet Hoxha, ka deklaruar para disa ditëve se Qeveria e “Gruevskit” ka kaluar tekstin e marrëveshjes në Kuvend dhe të dy qeveritë kanë obliguar ministrat e Punëve të Jashtme që ta nënshkruajnë atë.
Sipas Hoxhës, duke u nisur nga e drejta ndërkombëtare dhe marrëdhëniet miqësore, me këtë marrëveshje shtetasit e njërit apo shtetit tjetër mund të hyjnë në territorin përkatës me letërnjoftime biometrike dhe pa viza, në të gjitha vendkalimet kufitare. /Zëri/