Lajmet e fundit

Shumica e shkollave në vend i janë përgjigjur udhëzimit të SBASHK-ut që të mos mbahet mësimi të hënën e cila po konsiderohet festë e datës 28 nëntor.
Sipas tyre 30 nëntori figuron si ditë pushimi në kalendarin e festave të Ministrisë së Arsimit, andaj konsiderojnë se vendimi i kryeministrit, Avdullah Hoti, nuk është i konsultuar me ministrinë dhe si të tillë e konsiderojnë kokë më vete.
Lutfi Mani, nga kjo sindikatë i tha Klanit se ka komuna ku asnjë shkollë nuk ka mbajtur mësim, e të tjera ku është mbajtur pjesërisht.
Komuna e Prishtinës konfirmon se nuk ka marrë asnjë vendim zyrtar nga institucionet përgjegjëse, por që janë informuar përmes medieve, megjithatë i kanë lajmëruar drejtuesit e shkollave që të dalin në punë.
36 shkolla në Prishtinë gjatë së hënës kanë mbajtur mësim, teksa në 14 të tjera mësimdhënsit nuk i janë përgjigjur thirrjes së kryeministrit.
Nga këto të fundit është edhe shkolla “28 Nëntori”, që sipas drejtoreshës vendimi është marrë nga këshilli drejtues ngase e kanë edhe ditën e shkollës.
E në shkolla të tjera një pjesë e stafit e edhe e nxënësve dolën në punë, por për shkak se shumica nuk erdhën, mësimi dështoi të mbahet.
Pas gjithë kësaj tollovie që u krijua pas vendimit të kryeminisrit, Avdullah Hoti, që mori pasditën e së premtës, e që u pasua nga udhëzimet e SBASHK-ut për t'u vepruar ndryshe, Ministria e Arsimit, pranoi që nuk e ka ndryshuar kalendarin e festave.