Një mural i madh për nder të yllit të ndjerë të muzikës rok, David Bowie, tani po e zbukuron një ndërtesë në kryeqytetin boshnjak - Sarajevë, transmeton Klan Kosova.
Këtë punë e krijuan dy artistë vendas, të shtyrë nga vdekja e Bowie në janar, i cili ndërroi jetë në moshën 69 vjeçare. Ky mural është 13 i gjatë dhe 10.5 metra i gjerë.
Organizatori i gjithë këtij projekti është muzikanti lokal, Vedad Trbonja, i cili këngëtarin britanik e quajti “babain e tij shpirtëror”.
Bëhet e ditur se në vitin 1994 Bowie e bleu një pikturë anti-luftë nga artisti Peter Howson, ku shfaqej një grua myslimane boshnjake duke u përdhunuar.
Ky mural ndodhet në ndërtesën e rrënuar në afërsi të rrugës së njohur si rrugica e snajperistëve gjatë luftës së viteve 1993-1995. Sarajeva duroi një rrethim të përgjakshëm nga Forcat Serbe të Bosnjës, ku civilët u bënë objektiva të snajperistëve.
Murali nderon kontributin e këngëve hit të Bowie – Heroes and Fashion, dhe mban sloganin: “Moda ndryshon, por ju do të mbeteni gjithmonë heronjtë e mi”.
Puna është kryer nga Enis Cisic - ilustrator i vizatimeve komike Marvel, dhe Zoran Herceg.
Një turmë prej disa qindra njerëzish morën pjesë të shtunën në përurim, transmeton Klan Kosova.
●●●
Shpërndaje këtë artikull
EV
SHKRIMI NGA
E V
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.