Lajmet e fundit

Sabri Kiqmari, Ambasadori i Kosovës në Australi, i ftuar në emisionin Zona B në Klan Kosova, ka folur rreth librit të tij më të ri “Republika e Kosovës – Shtetndërtimi dhe Struktura Sociale", libër ky i shkruar në gjermanisht dhe i promovuar në Akademinë Diplomatike të Vienës në Austri.
Kiqmari ka treguar se si u motivua që të shkruajë një libër që flet për rrugën që Kosova e ndoqi për t’u bërë shtet.
“Arsyeja që kam vendosur ta shkruaj këtë libër është mungesa e literaturës për këtë çështje. Pas shpalljes së pavarësisë kam gjykuar se është me interes që të studiohet procesi i shtet ndërtimit”, ka thënë Kiqmari.
Ai ka thënë se libra për Kosovën ka nga studiues të huaj, por jo nga autorë shqiptarë për lexuesit e huaj.
“Kemi pasur libra për zhvillimet në Kosovë nga të tjerët, por fare pak kemi pasur libra nga autorët tanë me analiza për zhvillimet shoqërore në Kosovë për të tjerët, do të thotë nga autorët tanë në gjuhën angleze apo gjermane”, është shprehur ambasadori kosovar në Australi.
Libri i tij i ri flet për ndërtimin e shtetit Kosovar jo vetëm në aspektin historik, por edhe në atë shoqëror.
“Libri flet për procesin e shtet-ndërtimit dhe strukturën sociale të shtet ndërtimit. Jam kujdesur që lexuesit t’ia servoj jetën e një kosovari të rëndomtë. Ky libër përmban këndvështrimin e një studiuesi shqiptar i shkolluar në Gjermani, për zhvillimet rreth vendit prej nga vjen”, ka deklaruar Kiqmari.
“Jam munduar të jem neutral si studiues. Nuk ka elemente njëanshmërie”.
Duke folur për zhvillimet politike në Kosovë rreth viteve të 90-ta, ai ka thënë se ndjehet krenar për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovë.
“Pa luftën e UÇK-së, nuk do ta kishim të lehtë të jemi të lirë. E them me shumë krenari që ka qenë pjesa më e mirë e shoqërisë kosovare”, ka thënë në fund të intervistës Kiqmari.