Lajmet e fundit
Sot është afati i fundit për kandidatët serbë të cilët do të aplikojnë në konkursin për gjykatës dhe prokurorë që do të veprojnë në gjykatat e veriut të Kosovës.

E kontaktuar nga Klan Kosova, Ajshe Qorraj-Berisha, zëdhënëse në Këshillin Gjyqësorë të Kosovës ka thënë se akoma nuk mund të dalin me informacione për publikun se sa persona kanë aplikuar në këtë konkurs.
“Në bazë të konkursit, aplikantët kanë të drejtë formularët e tyre t’i dorëzojnë në Sekretariatin e KGjK-së dhe në Zyrat e EULEX-it”, tha Qorraj-Berisha.
Nga ana tjetër, Besa Domi, zëdhënëse në EULEX, tha se natyra e këtyre aplikimeve është konfidenciale dhe se ende nuk kanë informata të sakta se sa aplikime kanë shkuar në zyrat e EULEX-it.
“Edhe këto aplikime po i trajtojmë njëjtë, sikurse të çdo konkursi tjetër. Një herë nuk mund të japim më shumë informacione se sa aplikime kemi deri më tani”, deklaroi ajo për Klan Kosovën.
Ndërkaq, drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq ka deklaruar se janë 48 kandidatë për gjykatës dhe 15 për prokurorë.
Gjuriq ka bërë me dije për televizionin publik serb, RTS, se gjatë ditës së sotme do t’i dorëzojnë EULEX-it listën me emrat e gjykatësve dhe prokurorëve serbë.
Ndryshe, konkursi për gjykatës dhe prokurorë është hapur mbi bazën e marrëveshjes së arritur në Bruksel në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë./Klan Kosova.