Lajmet e fundit

Indeksi global për Paqe, ku Siria radhitet e fundit përderisa Islanda në krye të listës, deklaron që destabiliteti politik, terrorizmi dhe konfliktet i kanë kushtuar ekonomisë globale 13.6 trilion dollarë, shkruan The Guardian, transmeton Klan Kosova.
Indexi i vitit 2016, ku janë analizuar 163 shtete dhe territore, vendos Sirinë si shtetin me më së paku paqe në botë, i ndjekur nga Sudani Jugor, Iraku, Afganistani dhe Somalia.
Vendet më paqësore të botës janë: Islanda, Danimarka, Austria, Zelanda e Re dhe Portugalia.
Ndër faktorët destabilisues ishin terrorizmi, trazirat politike, si dhe intensifikimi i luftërave në Siri, Ukrainë, Republikën Qendrore Afrikane dhe Libi.
Sërish, Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore (Mena) janë regjionet më së paku paqësore në botë.
Sipas këtyre të dhënave, nëntë shtete tanimë kanë 10% të popullatës së tyre të zhvendosur. Në Sudanin Verior dhe Somali 20% e popullatës kanë lënë shtëpitë e tyre përderisa në Siri proporcioni është më i madh, rreth 60%.
Edhepse aktivitetet terroriste janë të koncentruara në pesë shtete – Siri, Irak, Nigeri, Afganistan dhe Pakistan - impakti global është në rritje.
“Vdekjet nga terrorizmi janë rritur për 80% krahasuar me raportin e vitit të kaluar, me vetëm 69 shtete pa regjistruar ndonjë incidenti terrorist.”
Azia Jugore mbetet vendi i dytë më së paku paqësor në botë, me rënie në Afganistan, Nepal, Bangladesh dhe Indi, megjithatë ka përmirësime të vogla në Butan, Shri Lank dhe Pakistan.
Sa i përket Afrikës Sub–Sahariane, Çadi, Mauritania dhe Nigeri kanë përmirësuar marrëdhëniet me shtetet fqinje, mirëpo grupe terroriste si Boko Haram vazhdojnë dhunën në Sudanin Verior, kështu duke dëmtuar përpjekjet për paqe dhe stabilitet në këtë rajon.
Shumat e humbura përgjatë këtyre konflikteve janë të mëdha. Sipas indeksit global të paqes, kostoja e dhunës përgjatë vitit të kaluar është 13.6 trilion dollarë, respektivisht 13.3% e bruto produktit botëror. Kjo shume është ekuivalente me 11 herë më shumë para të shpenzuara krahasuar me investimet e huaja direkte.
Vetëm Organizata e Kombeve të Bashkuara pritet të shpenzoj tetë bilion dollarë për ruajtjen e paqes këtë vit. Kjo shënon një rritje prej 17% krahasuar me vitin 2015.