Lajmet e fundit

Ky çmim poetit Tafa iu nda për librin e tij të dytë të botuar në gjuhën rumune, i shpallur edhe libri më i mirë i autorëve të huaj të botuar gjatë vitit në gjuhën rumune.
Por pjesëmarrja e Lulzim Tafës dhe shpallja e tij fitues, ka nxitur reagime nga komuniteti artistik në Serbi.
Shtypi serb ka më tepër se dy muaj që kishte nisur një fushatë kundër pjesëmarrjes së Kosovës në këtë festival të rëndësishëm të letërsisë. Ndaj shkrimtari serb, Adam Puslojiq, i cili është edhe anëtar i Akademisë Rumune, pjesëmarrjen e Lulzim Tafës si poet nga Kosova e jo nga Serbia, e ka quajtur befasuese:
''Ky është një makth dhe një dramë njerëzore, këtë nuk e prisja nga Rumania, që është atdheu im i dytë'', kishte deklaruar Puslojiq.
Ndërkohë ka pasur edhe reagime të tjera nga poetët serbë, të cilët kishin paralajmëruar largim nga festivali duke theksuar, se ''pavarësisht se Tafa është një poet i mirë, Kosova nuk është shtet dhe ka qenë dashur të prezantohet si poet nga Serbia e jo nga Kosova'', kanë shkruar mediat serbe.
Shkrimtarët serbë madje kanë akuzuar organizatorët duke theksuar se ata nuk kanë pasur të drejtë ligjore të ftojnë poetin Lulzim Tafa, sepse Rumania nuk e ka njohur ende pavarësinë e Kosovës.