Lajmet e fundit

22:41 - Kryeziu: Në VV ka figura që nuk hezitojnë të distancohen nga Kurti (VIDEO)
Analistja politike, Laura Kryeziu, ka thënë se në Lëvizjen Vetëvendosje ka figura politike që nuk hezitojnë të distancohen nga qëndrimet e Albin Kurtit.
Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, ajo e ka vlerësuar lirinë e mendimit të kryeparlamentarit Glauk Konjufca i cili sipas saj, është distancuar nga qëndrimi i kryeministrit Albin Kurti për politikanin serb Oliver Ivanoviq.
"E gjithë ajo që na ka ndodhur neve historikisht në lidhje me Serbinë dhe të kthehemi me një video për Ivanoviqin i cili dihet që ka udhëhequr grupe kriminale siç janë rojat e urës në Mitrovicë; atëherë natyrisht se ky reagim ishte jashtëzakonisht me vend prej të gjithëve".
"Çka është befasuese, sidomos sot që deputetët e opozitës vendosën që t'ia adresojnë këtë pyetje Konjufcës, i cili shumë herë më pëlqen në integritetin e mendimit që ka dhe i cili nuk u mundua t'i ikë qëndrimit të tij dhe të vërtetës sepse ne nuk mund të jemi rezistent ndaj fakteve".
"Kjo tregon se megjithatë në VV përveç se kemi Albin Kurtin, kemi edhe disa figura të vjetra politike apo bashkëthemelues të cilët nuk hezitojnë të distancohen shumë shpesh nga qëndrimet e Kurtit".
"Unë mendoj se ai e bëri të qartë distancimin derisa në fund u mundua që ta japë një perspektivë personale ku deshi ta arsyetojë kryeministrin".
21:52 - Sejdiu: Qeveria Kurti janë dembelë dhe të paaftë (VIDEO)
Analisti politik, Dardan Sejdiu, ka thënë se mosvotimi i projektligjit për tërheqjen e Trustit sot në Kuvend, nuk ka të bëjë me mbrojtjen e qytetarëve.
Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, ai e ka kritikuar Qeverinë Kurti për dembeli dhe paaftësi për të gjetur zgjidhje në këtë drejtim.
"I kemi 23 skema pensionale, invalilodre dhe sociale në Republikën e Kosovës. Nuk ka vend në dynja që ka më shumë skema pensionale invalidore".
"Logjika e kësaj qeverie është tjetër - së paku në letër. Është ndërtimi i një sistemi pensional invalidor nën ombrellën e një kodi pensional invalidor i cili është sistem prej tre shtyllash".
Tutje, Sejdiu e ka kritikuar Qeverinë Kurti se po e akuzon opozitën e tanishme për diçka që edhe vetë e ka kritikuar për 19 vjet sa ka qenë në opozitë.
"Por këta s'kanë kohë, janë të zënë me arrogancë, me shitje mendsh dhe mospunë. Janë dembelë, janë të paaftë, janë njerëz që del në televizion dhe i thotë një opozitë 'po do ta shkatërrosh sistemin pensional' që vetë e ka kritikuar për 19 vjet".
"Kjo s'ka të bëjë me Trustin, kjo ka të bëjë me mospunën e këtyre njerëzve".
21:51 - Kajtazi: Mimoza Kusari ma kujtonte Adem Grabovci me kontrollin që ua bënte deputetëve (VIDEO)
Opinionisti, Vehbi Kajtazi, vlerëson se opozita u mblodh e gjitha për tërheqjen e mjeteve nga Trusti sot, por e kuptuan se me këtë pushtet është problem të shtyhen përpara çështje me rëndësi.
“Pozita por edhe opozita çështjen e tërheqjes së parave nga Trusti e ka politike, se nuk është që ju intereson shumë për këtë çështje pasi shumë prej tyre i kanë punët mirë”.
“Por, kjo ishte një betejë politike rreth të cilës u mblodh e gjithë opozita por e kuptuan se kanë me pas problem me këtë pushtet më shty çështje të rëndësishme përpara duke marrë parasysh që fuqia e tyre me numra është e dobët”, u shpreh Kajtazi.
Kajtazi, në Rubikon në Klan Kosova, mes tjerash, pati një krahasim jo të zakonshëm për Shefen e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e cila në vazhdimësi përcolli votat e deputetëve të pozitës gjatë votimit për Trust-in, njofton Klankosova.tv.
“Kur e shihja Mimoza Kusarin sot ma kujtoi Adem Grabovcin kur i thirrke të gjithë deputetët me rend, çfarë kontrolle të rreptë ushtroje mbi vartësitë e saj në Kuvend. Sot çfarë kam parë nuk është ndonjë pasqyrë e mirë e funksionimit e institucionit më të lartë shtetëror”.
“Nuk i di arsyet ekonomike por mendoj se më shumë para në popull – është më mirë”, tha Kajtazi.
21:34 - Paçarizi për moskalimin e Trust-it: Kur shteti forcohet distancohet nga qytetarët (VIDEO)
Opinonisti, Rrahman Paçarizi, vlerëson se qeveria tregoi forcën e saj me mos votimin e Projektligjit për tërheqje të një përqindjeje të mjeteve nga Trusti.
Paçarizi, në Rubikon në Klan Kosova, tha se kryeministri, Albin Kurti dhe qeveria kur vlerësojnë se janë forcuar shumë distancohen nga qytetarët – njësoj siç vepruan edhe sot, njofton Klankosova.tv.
“Ajo që e tregon më së qarti arsyeje se pse nuk është votuar sot Trusti, arsyet ekonomike unë nuk i di, por ishte një fjalim i cili në planin programatik dhe politik tregon se çfarë ka me ndodhë sot. Ishte një deputet që tha se kur shteti forcohet distancohet nga qytetarët. Zotëri Kurti dhe qeveria e ti është e bindur se shteti është forcuar aq shumë sa tashmë distancohet nga qytetarët”.
“Edhe në grevën e mësimdhënësve njësoj qeveria ka treguar forcë që ‘ne ju shkelim me këmbë kur duam’ edhe njëherë, sot, e dëshmuan forcën e shtetit dhe qeverisë që ju treguan qytetarëve se ju na keni zgjedhë por ne vendosim për ju” tha Paçarizi.
_____________________________________________________________________________________________________________________
21:33 - Ademi: Trusti ka shkaktuar më së shumti përplasje brenda grupit të Vetëvendosjes (VIDEO)
Iniciativa për tërheqjen e 30 për qind të Trustit nuk kaloi gjatë së enjtes.
“Aminin” nuk ia dha Kuvendi i Kosovës, pasi që kundër ishin partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje.
E kjo temë sipas gazetarit të Klan Kosovës, Haris Ademi, ka shkaktuar më së shumti përplasje brenda grupit parlamentar të LVV-së.
“Mund të them që ka pasur disa lloj “kërcënimesh”, që nëse kjo iniciativë kalon mund të ketë skenare që çojnë deri në zgjedhje”, tha Ademi në emisionin Rubikon në Klan Kosova.
Në seancën e sotme ishin të pranishëm 101 deputetë, prej të cilave 97 kanë votuar.
42 deputetë kanë votuar pro, derisa 55 votuan kundër, e abstenime nuk pati/ Klankosova.tv
20:45| Rubikon sonte: Pse Qeveria Kurti është kundër tërheqjes nga TRUST-i?
Sonte në Rubikon me Adriatik Kelmendin, diskutohet për qëndrimin e Qeverisë Kurti, kundër tërheqjes nga fondi i kursimeve pensionale.
Të ftuar për të diskutuar mbi këtë çështje, janë: Haris Ademi, Vehbi Kajtazi, Rrahman Paçarizi, Laura Kryeziu, Gazmir Raci dhe Dardan Sejdiu.