Lajmet e fundit

22:18 - Tahiri: Kurti mund të pranojë edhe një shtyrje të afatit për konvertimin e targave ilegale
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mund ta pranojë edhe një shtyrje të afatit për konvertimin e targave ilegale nga "KM”, “PR”, “PZ” dhe të tjera në RKS.
Kështu tha gazetari i Klan Kosovës, Besnik Tahiri, në “Rubikon” i cili deklaroi se ka sinjale se Bashkimi Evropian do t'i kërkojë Kosovës edhe një shtyrje të afatit.
"Unë mendoj që [Albin Kurti] edhe mund ta pranojë për shkak se edhe Radios BBC të dielën kur e pyeti gazetari direkt 'A do të bëhet?' i tha 'Unë vetëm shpresoj' dhe nuk tha se kjo nis më 1 nëntor. Për 1 shtatorin ka qenë shumë i bindur dhe ka thënë se është çështje e kryer".
"Diplomatët amerikanë duke nisur nga ambasadori Christopher Hill, i cili e njeh Kosovën dhe është njeriu që ka ndërkombëtarizuar UÇK-në, i cili thotë që ky dialog që bëhet në këtë periudhë që jemi bëhet ekskluzivisht për idenë se si do të akomodohen interesat e pakicës serbe në Republikën e Kosovës. Kosova gjykohet shumë se si sillet me pakicën e saj më të madhe dhe për shkak të rëndësisë që e ka".
Shefi i qeverisë, Albin Kurti, deklaroi ditë më parë se qytetarët serbë kanë kohë dy muaj që t'i ndërrojnë targat ilegale në ato RKS.
Ndërkaq sot më 1 shtator, në ditën e parë të nisjes së afatit të konvertimit të targave, një qytetar serb i Prizrenit i ka marrë targat RKS.
22:04 - Shkullaku: Kurti është i gatshëm ta sakrifikojë pushtetin për parime
Analisti politik Armand Shkullaku ka thënë se kryeministri Albin Kurti është i gatshëm që ta sakrifikojë pushtetin në mënyrë që ta mbrojë parimin tek i cili ai beson.
Në emisionin "Rubikon" në Klan Kosova, ai ka shtuar se si rezultat i mbrojtjes së parimeve nga ana e Kurtit është arritur marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë sa i përket çështjes së dokumenteve.
“Serbia de fakto dhe de jure njeh dokumentet e lëshuara nga Republika e Kosovës për ata qytetarë që hyjnë në territorin e Serbisë. Në këtë aspekt mendoj se kemi një hap përpara. Pra nuk kemi negociata për reciprocitet, por kemi zbatim të reciprocitetit. Tani kemi edhe sfidën e targave – mendoj që ka reciprocitet dhe mendoj se është një strategji shumë e mirë e qeverisë që ka arritur deri këtu. Mendoj që kjo është fryt i një politike që ka si orientim disa parime që i ka shpallur që në fillim”.
Sipas Shkullakut, ka pasur disa ngjarje përpara kësaj situate ku gjithmonë presioni është bërë ndaj më të dobtit.
“Kosova ka treguar se nuk është më faktor i dobët që pranon çdo gjë që i thonë ndërkombëtarët. Tani kemi një kryeministër që nuk i intereson të bëjë figurën e djalit të mirë me ndërkombëtarët ku pranon gjithçka vetëm që të rrijë në pushtet”.
“Por siç ka treguar edhe në raste të tjera është i gatshëm që të sakrifikojë pushtet për të mbrojtur një parim tek i cili ai beson. A është i duhur ky parim? Kjo mbetet për t’u parë”.
21:49 - Sejdiu: Kurti po bën punë të mirë në dialog, nga ndalja e referendumit e deri të marrëveshja
Analisti politik, Dardan Sejdiu, ka lavdëruar marrëveshjen e fundit mes Kosovës dhe Serbisë për dokumentet identifikuese.
Ai tha se qytetari i Kosovës tash mund të futet në territorin e Serbisë me një dokument i cili është dokument shtetëror i Kosovës.
Sejdiu, në “Rubikon” të Klan Kosovës, vlerësoi se kryeministri Albin Kurti është duke bërë një punë të mirë në dialogun me Serbinë.
“Filloi me ndaljen e referendumit, vazhdoi me ndaljen e zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës, pastaj me diskutime me tema që lidhen me njohjen e dokumenteve identifikuese të Kosovës pa ndonjë dokument shtesë i cili të zhvleftëson si shtet – pra, këto për mua janë lëvizje të mira përpara”.
“Kjo është një situatë e re që e ka krijuar Qeveria Kurti. Mendoj se edhe tensionet për veriun kanë dëshmuar një gjë - që Kurti ka arritur t’i bindë faktorët ndërkombëtarë edhe shtetet tjera që ka potencë të futet në veri dhe kjo ndryshoi rrethanën faktike atje”.
Ai pohoi se situata e sotme ja jep një leje Kurtit në dialog, teksa shtoi se “e kemi ‘frerin’ se deri ku është i gatshëm Kurti të dialogojë”.
21:40 - Ibrahimi: S'ka marrëveshje të re, po zbatohet ajo e 2011-ës
Nga 1 shtatori ka nisur zbatimi i marrëveshjes së arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë për dokumentet e identifikimit.
Opinionisti Ilir Ibrahimi thotë se kjo nuk është një marrëveshje e re, por po zbatohet ajo që ishte arritur në vitin 2011.
“Ka filluar implementimi i një marrëveshje të 2011-ës. Nuk ka marrëveshje të re. Pra, marrëveshje për zbatimin e një marrëveshje të arritur para 11 vjetësh. A është kjo që po e themi?”, deklaroi ai në “Rubikon” të Klan Kosovës.
21:37 - Seferi: Në Serbi marrëveshja për dokumentet po konsiderohet si fitore e Vuçiqit
Gazetari në Beograd, Idro Seferi, ka thënë se në Serbi po paraqitet si fitore e presidentit Aleksandar Vuçiq marrëveshja e arritur me Kosovën për dokumentet e identifikimit.
Ai, në një lidhje direkte në “Rubikon” të Klan Kosovës, deklaroi se megjithatë lideri serb ka pasë akuza nga një pjesë e opozitës të cilët vlerësojnë se me këtë marrëveshje ka pranuar dokumentet e Kosovës.
“Presidenti Vuçiq dhe Serbia në vazhdimësi pretendojnë se kanë arritur të mbrojnë interesin e Serbisë dhe të vazhdojnë jetëgjatësinë e shtetit të Serbisë në Kosovë, mbrojtjen e komunitetit serb në Kosovë që atyre t’iu lejohet të përdorin dokumentet e Serbisë duke jetuar në Kosovë, pra që për ta të mos jepen këto dokumentet që janë dhënë deri më tani. Pika e tretë të cilën shumica e mediave, analistëve dhe zyrtarëve të lartë të shtetit të Serbisë e kanë paraqitur si një fitore të presidentit Vuçiq, në fakt një kompromis i arritur me insistimin, zgjuarsinë dhe diplomacinë e presidentit Vuçiq”.
“Nga ana tjetër kemi pasë akuza të vazhdueshme nga pjesë të opozitës, qoftë opozita nacionaliste apo ajo që konsiderohet paksa më liberale në Serbi, se me këtë Vuçiq ka pranuar dokumentet e Kosovës zyrtarisht dhe se këtu nuk bëhet fjalë për reciprocitet, por se Vuçiq ka pranuar kartat e identitetit dhe të gjitha dokumentet që kanë të bëjnë me logon e shtetit të Kosovës”.
Seferi ka thënë se në Serbi flitet se ende rreziku nuk ka kaluar duke iu referuar çështjes së targave për çka akoma nuk ka një marrëveshje.
Ai pohoi se fitorja më e madhe për Serbinë do të ishte nëse gjendet një version në të cilin serbët e Kosovës nuk do të pajisen me targa RKS.
“Serbia ka bërë një ofertë publike që serbët e Kosovës, të paktën në veri, t’i mbajnë targat KS për shkak se ato i ka dhënë dikur misioni i UNMIK-ut pavarësisht që tani autoritetet e Kosovës kanë përgjegjësi për targat, por gjithsesi me idenë që fitorja më e madhe për Serbinë do të ishte nëse arrijnë të gjejnë një zgjidhje që serbët të marrin targa që nuk e kanë stemën e Kosovës, apo akronimin RKS”.
21:13 - Në veri shpërndahen fletushka që të mos ndërrohen targat nga “KM” në “RKS
Në qytetet veriore të Kosovës janë shpërndarë disa fletushka ku është bërë thirrje që të serbët e Kosovës të mos i ndërrojnë targat e vjetra, tashmë ilegale, me ato legale, RKS.
Ndërsa, në pikën kufitare në Jarinjë po vazhdon zbatimi i marrëveshjes mes dy vendeve për dokumentin për hyrje/dalje.
Që nga mesnata e deri në këto momente rreth 800 vetura kanë hyrë nga Serbia në Kosovë dhe kanë dalë 700 prej tyre, teksa për asnjërën s’është lëshuar dokument shtesë përvec që është kërkuar letërnjoftimi.
Ndërkohë, kufitarët i kanë thënë Klan Kosovës se janë ende duke i pranuar letërnjoftimet ilegale serbe, teksa nuk ka ende një vendim të Qeverisë së Kosovës për t’i ndaluar ato.
Gjatë ditëve të fundit ka pasur edhe vend-qëndrime të KFOR-it, ku nga Leposaviqi deri në Jarinjë janë katër pikë-qëndrime teksa më i afërti është rreth 100 metra afër pikës kufitare.
20:45 - Çfarë reciprociteti me Serbinë?
Në Rubikon me Adriatik Kelmendin, që sonte nis sezonin e 19, po diskutohet për marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë për dokumentet e identifikimit.
Kjo marrëveshje ka nisur së zbatuari mbrëmë në mesnatë, derisa po në mesnatë ka nisur edhe rrjedhja e afatit dymujor për konvertimin e targave ilegale – KM, PR, GL dhe të tjera – në ato RKS.
Të ftuar për të diskutuar për këtë temë janë analistët Armand Shkullaku, Dardan Sejdiu, Rrahman Paçarizi, Ilir Ibrahimi dhe Gazmir Raci, si dhe gazetari i Klan Kosovës Besnik Tahiri.
Në një lidhje direkte do të inkuadrohet nga pika kufitare e Jarinjës gazetari tjetër i Klan Kosovës Drin Demiri, derisa nga Beogradi do të paraqitet edhe korrespodenti Idro Seferi.