Lajmet e fundit

Ministria e Administratës Publike dhe Radiotelevizioni i Kosovës kanë lidhur një Marrëveshje Mirëkuptimi për ndërtimin e ndërtesës për nevojat e transmetuesit publik.
Kjo marrëveshje ka për qëllim realizimin e projektit kapital të kësaj ndërtese, në sipërfaqe prej 8 hektarësh, që shtrihet në zonën Prishtina e Re.
Në ceremoninë e rastit, për MAP-in, marrëveshjen e nënshkroi ministri Mahir Yagcilar, kurse për RTK-në, drejtori i përgjithshëm, Mentor Shala.
Sipas kësaj ujdie, MAP obligohet të sigurojë lokacionin në të cilin do të ndërtohet ndërtesa bazuar në vendimin e komunës së Prishtinës nr.046-94060 të datës 04.05.2015, bazuar në kontratën e datës 11.02.2016 të lidhur ndërmjet MAP-it dhe komunës së Prishtinës, të hartojë planin urbanistik, të afrojë edhe dokumentacionin tjetër përkatës dhe ta ndihmojë RTK-në gjatë realizimit të projektit. Ndërsa, RTK-ja obligohet ta financojë hartimin e projektit dhe të ndërtesës në harmoni me planin urbanistik, transmeton Klan Kosova.