Lajmet e fundit

Sindikata e Punëtorëve e Radiotelevizionit të Kosovës, është shprehur e shqetësuar me situatën financiare të këtij institucioni mediatik shtetëror.
Kjo sindikatë shprehet se nëse Komisioni Parlamentar për Financa do t’ua heqë punëtorëve të RTK-së kompensimin për shujtat ditore, kjo situatë do të rëndohet edhe më tepër.
Sindikata deklaron se shujta ditore që punëtorët e RTK-së marrin, është e garantuar me kontratën kolektive e cila ka kohë që ka hyrë në fuqi.
“SPERTK e kundërshton fuqishëm këtë kërkesë të këtij komisioni. SPERTK kërkon nga Kuvendi dhe aktorët tjerë që, në vend se të merren me kërkesa të tilla, të gjejnë zgjidhje për financimin e RTK-së, digjitalizimin, ligjin e ri për RTK-në dhe ta zgjidhin çështjen e pronës. Çdo kërkesë për ulje të pagave, SPERTK e konsideron presion mbi RTK-në dhe si të tillë të papranueshëm.
SPERTK madje deklaron se në rast se pagat e RTK-së ulen, kjo do t’i mobilizonte punëtorët të dilnin në protestë.