Lajmet e fundit

Po bëhet 1 vit qëkur banorët e rrugës “Sokol Elshani’’, në Komunën e Drenasit, presin një zgjidhje për rrugën e tyre.
Gropat e shumta nuk janë problemi i vetëm i tyre, kësaj rruge i mungon edhe trotuari e nuk ka fare ndriçim publik.
E përveç telasheve të shumta, problemi i madh i tyre del të jetë lumi “Verbica”, i cili, pas çdo reshje shiu, vërshon lagjen.
Shaban Neziri është njëri nga banorët e kësaj lagjeje, i cili thekson faktin se këmbësorët i nënshtrohen rrezikut permanent çdo ditë.
"Kërkesa nuk është vetëm e jemja, por e gjithë qytetarëve për me zgjeru qit rrugë aq sa ka mundësi dhe një trotuar, s’ka trotuarë, s’ka ndriqim, plot gropa. Ura nuk e përbin ujin as nuk i përbin automjetet. Këtu bahët kolona në të dy anët deri në shtrubullovë, e deri në rreth ku kryqëzohen për këmbësorë ma mos vet s’kanë kah me kalu, ja duhet mu kthy’’.
Hallin e tyre ata ia kanë treguar edhe kreut të komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili i kishte udhëzuar që problemin e tyre ta drejtonin te Ministria e Ambientit.
"I kom shkru Kryetarit të Komunës, Kryetari ka thanë që na nuk kena pjesë këtu po është Ministria e Ambientit, ka thënë nuk kena kompetencë, I kom thanë Kryetar na të kena zgjedh ty Kryetar, për me I mbrojtë interesat tonë, tash smujna çdo banorë me shku të Ministria e Ambientit. Asfaltimi vetëm të kjo pjesa, të vorret ka nevojë mu zgjeru pak me qit. Ura duhet me u hek krejt, është shumë e vogël, krejt uji tubohet të ura, gjithsesi se ura është e ngushtë’’, thotë një banor tjetër.
Megjithatë, komuna e Drenasit është arsyetuar me mungesën e hapësirës sa i përket çështjes së trotuarit dhe ndriçimit publik.
"Pjesa e rrugës që është në mes të varrezave edhe të qytetit, nuk ka hapësirë ajo pjesa ku përmenda me herët mu rregullu. Kjo rrugë nuk është planifikuar për vitin 2022, por projeksionin e vitit 2023 sipas planifikimit të buxhetit që pritet të miratohet gjatë këtij muaji , është në procedurë dhe ka kodin e veçantë, janë planifiku mjetet, për rregullimin dhe sanimin e kësaj rruge’’, tha Bekim Dobra, zëdhënësi i kësaj komune.
Ndërsa për lumin ‘’Verbica’’, i cili, përveç që kohë pas kohe del nga shtrati, kundërmon për faktin se aty derdhen ujërat e zeza, zgjidhja mund të vijë vetëm nga Ministria e Ambientit.