Lajmet e fundit

Një pjesë e rrugës kryesore në Banjën e Pejës nuk mund të përshkohet nga automjetet gjatë gjithë ditës.
Nga e diela, orari nga gjashtë pasdite e deri në mesnatë është rezervuar vetëm për këmbësorë.
Ky kufizim qarkullimi ka revoltuar disa pronarë biznesesh në afërsi të kësaj pjese, të cilët thonë se do të dëmtohen financiarisht ngase qytetarët e kanë të vështirë të gjejnë rrugë alternative për të arritur tek lokalet e tyre si pasojë e këtij kufizimi.
Këta akuzojnë në fakt pronarin e hotelit, përballë së cilit ndodhet rruga ku nuk kalohet me makina mbrëmjeve, se po e përdorë rrugën e shtetit për ta shfrytëzuar si shëtitore për klientët.
Megjithatë gjatë ditës në një bisedë me Klan Kosovën, nga ky hotel treguan se kërkesa për ta ndalur lëvizjen e automjeteve është bërë pasi këto nuk e përshtatin shpejtësinë dhe rrezikohet jeta e qytetarëve, për çka Komuna e Istogut dha pëlqimin zyrtarisht që të vlejë ndalimi i qarkullimit gjatë periudhës qershor-shtator 2021.
Ky vendim do të rishqyrtohet edhe njëherë nga organet komunale gjatë së martës, pasi në adresë u arriti edhe një peticion me afër 100 nënshkrime.