Lajmet e fundit
Prej pas luftës në rajonin e Ferizajt janë shënuar 81 raste të vetëvrasjeve dhe 356 raste të tentim vetëvrasjeve.

Kështu është thënë të enjten në tryezën e organizuar nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj.
Në këtë takim morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve tjera relevante por edhe njohës të kësaj problematike.
Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Ferizajt, Gazmend Hoxha, ka thënë se bazuar në statistikat që disponon policia, këto raste janë shpeshtuar jo vetëm në regjionin e Ferizajt por edhe në nivel vendi.
"Policia e Kosovës nuk mund ta luftoj e vetme këtë lloj fenomeni sepse ne po mendojmë qe hallka apo zingjiri i institucioneve që është dashur të merren me fenomenin e vrasjeve apo trajtimin e viktimave të tentim vetëvrasjeve po mungon lidhja zingjirore”, ka thënë Hoxha.
Edhe kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, lidhur me këtë problematikë ka vlerësuar se kështu po hapet një debat i rëndësishëm me qëllim të parandalimit të kësaj dukurie e cila për fat të keq ka marrë përmasa shqetësuese në Kosovë.
“Sado që duket që akti i vetëvrasjes është një akt personal megjithatë duhet të jetë një nga brengat shoqërore", ka thënë Svarqa, për të shtuar se akoma nuk janë ndërmarr të gjitha masat që shkollat të kenë organet profesionale si psikolog, pedagog dhe organe këshilluese profesionale.
Në Ferizaj vetëm në vitin 2012 janë shënuar 12 raste të tilla, ndërsa sipas gjinisë nga numri i përgjithshëm i vetëvrasjeve, 59 raste i takojnë gjinisë mashkullore, ndërsa 14 raste gjinisë femrore.