Lajmet e fundit

Polakët po e preferojnë gjithnjë e më shumë Shqipërinë.
Të dhënat e Institutit të Statistikave, INSTAT, për hyrjen e shtetasve të huaj në gjashtë muajt e parë të vitit tregojnë se në Shqipëri kanë hyrë 7 mijë polakë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2017.
Në gjysmën e parë të vitit në Shqipëri kanë hyrë 1.9 milionë shtetasë të huaj.
Drejtoresha e INSTAT, Delina Ibrahimaj, bën me dije se nga të dhënat konstatohet se rritjen më të madhe e kanë pasur shtetasit polakë, një tendencë kjo që ka ardhur duke u shprehur më shumë në dy vitet e fundit.
“Ka filluar që vitin e kaluar, pra ka qenë në rritje numri i polakëve në Shqipëri sepse nuk janë të lidhur vetëm me turizmin bregdetar, por edhe me atë malor”, ka thënë ajo për Oranews.tv.
Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë kësaj periudhe ka pasur rënie të numrit të shtetasve të Kosovës që kanë udhëtuar për pushime në Shqipëri.
Gjatë periudhës janar-qershor në Shqipëri kanë hyrë mbi 2 mijë kosovarë më pak. Sipas Ibrahimaj, dy muajt e verës janë ata që pritet të kenë pikun e turistëve që vijnë nga Kosova.
“Për të parë fluksin dhe tendencën muajt që kanë hyrjet më të mëdha, si të kosovarëve ashtu edhe shtetasve të huaj janë korriku dhe gushti. Kjo lidhet me sezonin veror”.
Në muajin qershor 2018, hyrjet e shtetasve të huaj në Shqipëri ishin rritur për 13,3 %, krahasuar me qershorin e vitit 2017.
Sipas INSTAT, kjo rritje ka ardhur kryesisht nga hyrjet e shtetasve maqedonas – me 58,3,%, polakë – me 16,9 %, italianë – me 5,6 %, krahasuar me qershorin e vitit 2017.
Por, INSTAT ka regjistuar edhe rritje të numrit të shqiptarëve që udhëtojnë jashtë. Ibrahimaj ka thënë se vizitat te familjarët dhe pushimet janë disa prej arsyeve të udhëtimit të shqiptarëve jashtë vendit.
“Në 6 mujorin e parë të vitit, numri i shqiptarëve që kanë udhëtuar jashtë është rreth 2.4 milionë apo 5.9% më shumë në krahasim me 6 mujorin e parë të 2017. Ndërsa për muajin qershor janë rreth 400 mijë shqiptarë që kanë udhëtuar jashtë dhe ky numër psërbën 7.8 % rritje”, ka treguar ajo./ Koha Jonë