Lajmet e fundit

22.43| Kica-Xhelili: Jam përjetësisht vlerësuese ndaj Vjosa Osmanit për mundësinë që ma ka dhënë
Deputetja Doarsa Kica-Xhelili është shprehur falënderuese ndaj presidentes Vjosa Osmani.
Në Rubikon të Klan Kosovës, ajo ka deklaruar se nuk dëshiron që profili i saj politik të identifikohet me një individ.
"Së pari, më duhet të ritheksoj, unë jam ftuar në Listën Vjosa, kam pasur kënaqësinë të përfshihem në Listën Vjosa. Shkaku që jam përfshirë në Listën Vjosa ka pasur të bëjë me besimin tim në atë që duhet të ndodhë në kuptimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë".
"Më duhet të insistoj për këtë, nuk dua që profili im të identifikohet dhe definohet me një individ. Unë jam përjetësisht falënderuese ndaj presidentes Vjosa Osmani për mundësinë që ma ka dhënë. Por mendoj se është shumë gabim të trajtohet si diçka që ia dhanë mundësinë e u largua", ka thënë Kica-Xhelili.
22.12| Kica-Xhelili: Kurti ka kërkuar ta rimendoj vendimin për dorëheqje
Deputetja Doarsa Kica-Xhelili ka thënë se disa herë kryeministri i vendit, Albin Kurti, i ka kërkuar ta rivlerësojë edhe një herë vendimin e saj për largim nga Grupi Parlamentar LVV-Guxo.
Në Rubikon me Adriatik Kelmendin, ajo ka theksuar se ishte takuar edhe me presidenten Vjosa Osmani për largimin e saj.
"I kam, më duket, dy apo më shumë takime lidhur me të për këtë çështje, një herë ka qenë takimi ku i kam treguar se kam dhënë dorëheqje nga Guxo. E pastaj ka qenë një takim i radhës, ku i kam thënë se jam duke e menduar plotësisht daljen nga Grupi Parlamentar dhe bashkëngjitjen në LDK dhe më pas ia kam konfirmuar edhe me shkrim që përfundimisht kam vendosur të dal në LDK dhe kjo e gjitha pa qenë aspak në domenin publik kjo informatë".
"Dhe jo vetëm presidentes, por edhe kryeministrit, sepse mendoj që korrektësia e tillë është më e pakta që mund ta bëjmë. Edhe me kryeministrin Kurti jam takuar edhe para edhe pas vendimit për dorëheqje. Ka pasur komunikim të vazhdueshëm me mua dhe insistim për ta rimenduar këtë vendim deri sot. Edhe dje ka pasur kërkesë për ta rimenduar këtë lëvizje, edhe nga kryeministri Kurti".
"Komunikimin me kryeministrin e kam pasur të drejtpërdrejtë, e kam pasur mundësinë e tillë të qasjes, gjë për të cilën prapë e falënderoj shumë, por mendoj se është korrekte të mos hyj në detaje. Le të themi se ka pasur kërkesë për rivlerësim të këtij vendimi", ka thënë Kica-Xhelili.
21.37| Kica-Xhelili për Guxo: Nuk ka platformë, nuk jam më për shkak të kauzave të reformave në drejtësi
Doarsa Kica-Xhelili, e cila sot e zyrtarizoi kalimin e saj në Lidhjen Demokratike të Kosovës, ka thënë se për shkaqe të kauzave personale për reformat në drejtësi më nuk është pjesë e grupit parlamentar Guxo-LVV.
Kica-Xhelili, në Rubikon në Klan Kosova, tha se arsyet kaq parimore e bëjnë largimin e saj kaq mosbesues, veçse shton se i vjen mirë nëse shërben si shembull.
“Për shkak se jam kaq parimore për atë mendoj se mund të jem kaq mosbesuese. Por, mendoj që një masë e reagimeve ka të bëjë pikërisht me faktin që sikur nuk jemi të gatshëm ta pranojmë mundësinë që ne mund ta kemi një vetëdije të atillë sa të kemi edhe qëndrime të tilla. Por, në qoftë se unë mund të shërbej si shembull atëherë më vjen mirë”.
Madje, Kica-Xhelili thotë se nuk ka vend gjatë fushatës zgjedhore që ka thënë se është për reformat në drejtësi, njofton Klankosova.tv.
“Nuk jam më në atë grup parlamentar për shkaqe të kauzave personale që kanë të bëjnë me reformat në drejtësi. Nuk ka platformë, nuk ka vend ku unë në fushatë nuk kam thënë që jam për reforma në drejtësi. Kemi folur për vettingun dhe kemi folur për Byronë”.
“Duke filluar nga Byroja duke qenë se projektligji ka ardhur tashmë në kuvend ka qenë publike që unë kam abstenuar për atë projektligj, jo vetëm që kam abstenuar por kam dalë edhe publikisht për të treguar që është gabim mënyra se si po synohet të materializohet Byroja”, tha Kica-Xhelili.
21.19| Kica - Xhelili: Gërvalla dhe Peci ishin të njoftuar muaj më parë për largimin tim nga Guxo
Doarsa Kica-Xhelili, e cila sot e zyrtarizoi kalimin e saj në Lidhjen Demokratike të Kosovës, ka thënë se partia Guxo ishte e njohur për dorëheqjen e saj muaj më parë, jo vetëm tani ditëve të fundit.
Në një rrëfim ekskluziv në Rubikon me Adriatik Kelmendin, deputetja ka deklaruar se Donika Gërvalla dhe Faton Peci, të dy drejtues të Guxo, ishin të informuar për largimin e saj.
"Njoftimin për tërheqjen, para se të ndodhë kjo që ka ndodhur këto ditë, Donika Gërvalla dhe Faton Peci e dinin se nuk do të merresha më me Guxo, një muaj apo dy muaj para dorëheqjes reale, më 5 gusht ua dorëzova edhe dorëheqjen zyrtare me shkrim", ka thënë Kica.
Ajo tregoi edhe arsyen se pse nuk u deklarua për media pas raportimeve për dorëheqjen e dhënë.
"Sapo shkova për pushime, doli në media se jam larguar nga Guxo. Nuk jam përgjigjur sepse për mua korrektësia është shumë e rëndësishme, një copë rrugëtim e kam bërë bashkë me Guxo. Rrjedhimisht, ajo çfarë kam thënë është se do të pres derisa të përmbyllen të gjitha procedurat e kuvendeve zgjedhore. Kjo ishte edhe ajo që ua premtova se do ta bëj", ka thënë Kica, njofton KlanKosova.tv.
20.55| Kica-Xhelili: Sot jam në LDK, sepse LDK ka pësuar reforma
Doarsa Kica-Xhelili, në një rrëfim të saj ekskluziv për Rubikon me Adriatik Kelmendi, ka zbuluar për hetë të parë se cila qe arsyeja që ajo iu bashkua LDK-së, dhe e braktisi Listën Guxo.
''Guxo për mua rrugës nuk ishte më platforma që unë mund ta shihja vlerën e shtuar në kuptim të vizionit''.
''Unë sot jam në LDK është sepse LDK-ja ka pësuar reforma'', u shpreh ajo, transmeton klankosova.tv.
Tutje ajo u shpreh se arsyeja që ishte bërë pjesë e listës Guxo, qe reforma në drejtësi.
''Në listën Guxo hyra për reformën në drejtësi. Këtë e kam thënë gati në çdo takim. Asgjë s’ka ndryshuar. Ende jam për vetting, ende jam për byro''.
20.45| Tash në Rubikon: Doarsa Kica-Xhelili
Anëtarja më e re e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, vjen sonte ekskluzivisht në Rubikon në Klan Kosova, me rrëfimin për largimin nga “Lista Guxo”, kalimin në LDK dhe gjithë bujën e madhe që ka shkaktuar lëvizja e saj në skenën politike.
Pse zgjodhi të kalojë nga pushteti në opozitë?
A ndërlidhet largimi i saj nga “Lista Guxo” me pakënaqësitë për pozitat e brendshme partiake?
A ka ndryshuar mendim për presidenten Vjosa Osmani, që e themeloi “Listën Guxo”?
Çka e shtyri drejt LDK-së dhe cilat janë synimet e saj me partinë që drejtohet nga Lumir Abdixhiku?
Këto dhe shumë përgjigje të tjera ndiqni ekskluzivisht rrëfimin e saj në Rubikon me Adriatik Kelmendin.