Lajmet e fundit

Pas vizitës që e ka realizuar në Nigeri së bashku me ish Presidentin e Kosovës Behxhet Pacolli, publicisti Baton Haxhiu ka rrëfyer në Info Magazine rreth qëndrimi të tij disaditor në kontinentin e Afrikës.
Ai e ka ndarë këtë përvojë me shikuesit e Klan Kosovës, duke thënë se ndjehet me fat që jeton në Kosovë.
“Kthimi nga Nigeria të bën të ndjehesh me fat që jeton këtu. Pa e parë Afrikën, nuk mund të kuptohet se sa e bukur është jeta në Kosovë”, ka deklaruar Haxhiu.
Ai e ka shoqëruar Behxhet Pacollin në një vizitë që ai e ka realizuar për të lobuar për njohjen e pavarësisë së shtetit të Kosovës.
Haxhiu ka treguar se për të arritur deri te vendimi për njohjen e shtetit të Kosovës, duhet të flasësh me njerëz të parëndësishëm të cilët kanë ndikim te presidenti.
“Bisedat në takime ishin të zbrazëta dhe rrallë herë mund të nxirrnim diçka nga ato takime. Duhet të takonim shumë njerëz, që ata ta bindin presidentin për të njohur shtetin e Kosovës. E tëra që ata dinin për Kosovën, ishte se është një vend me shumicë myslimane, asgjë tjetër”.
Ai e ka vlerësuar punën e Behxhet Pacollit dhe ka thënë se populli kosovar ka ide të gabuar karshi figurës së tij.
“Si popull i kemi hyrë në hak Behxhet Pacollit. Kosovarët e kanë të gabuar perceptimin për Behxhet Pacollin. Udhëtimi në Nigeri, për të kërkuar njohjen e Kosovës, ka qenë shpenzim personal i tij”.
Haxhiu ka thënë se Afrika është një vend, i cili po braktiset nga banorët e saj, për shkak se edhe vdekja ne det gjatë ikjes është më e bukur se jeta atje.