Lajmet e fundit

Në kuadër të vizitës së tij në Londër, Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani me bashkëpunëtorë zhvilloi dje dhe sot një sërë takimesh me autoritete të këtij shteti nga fusha e shëndetësisë, edukimit shëndetësor dhe fusha sociale, në të cilat është diskutuar për bashkëpunimin midis autoriteteve britanike dhe kosovare në shëndetësi.
I ftuar nga profesori Elias Mossialos, themelues dhe drejtor i Shkollës Londineze të Ekonomisë - Shëndetësi (London School of Econonics- Health (LSE-Health), që është pjesë e Universitetit të Londrës dhe një nga qendrat kryesore kërkimore në Britani, Ministri Rrahmani ka biseduar me z. Mossialos për sfidat në sektorin shëndetësor të Kosovës, nevojat dhe projektet që mund të mbështeten nga LSE përmes ekspertizës profesionale.
Gjithashtu, Rrahmani ka mbajtur para studentëve të kësaj qendre që vijnë nga vende të ndryshme të botës një prezantim gjithëpërfshirës për sistemin shëndetësor të Kosovës, profilin e këtij sistemi, sfidat dhe hapat që janë duke u ndërmarrë me qëllim të përmirësimit të kujdesit shëndetësor.
Pas këtij prezantimi ka pasur një diskutim interaktiv me studentët dhe pjesëmarrës të tjerë në prezantim, lidhur me të dhënat e prezantuara, strategjitë, hapat për reformimin e sistemit të financimit, indikatorët shëndetësor, etj.
Në këtë prezantim në cilësinë e diskutuesit ka marrë pjesë edhe profesori i asociuar i demografisë në LSE, Arjan Gjonca. Ky ekspert i demografisë shëndetësore, ndër të tjera, e theksoi si shumë pozitiv faktin që në kuadër të strukturës së MSh-së ekzistojnë Divizionit për Shëndetin e Nënës dhe Fëmijës dhe ai i Shëndetit Mendor, që shumë shtete nuk i kanë.
Ministri Rrahmani është ministri i parë nga Kosova që mban ligjëratë në LSE.
Po në London School of Economics, ai është pritur edhe nga Zëvendësrektorin e LSE, znj. Robin Mansall, me të cilën është biseduar për tema që lidhen me avansimin e politikave shëndetësore, me theks të posaçëm në edukimin e gjeneratës së re në fushën e politikave dhe ekonomisë shëndetësore.
Një takim të veçantë Ministri me ekipin e tij, ka zhvilluar në Institutin Kombëtar për Shëndetësi dhe Përsosmëri të Kujdesit-NICE (National Institute for Health and Care Exellence), ku eksperti i lartë i këtij institucioni, Franciz Ruis, ka njohur Ministrin me rolin e këtij institucioni që është një institucion këshillëdhënës në Britani të Madhe dhe projektet që ata zhvillojnë në vende të tjera të botës, transmeton Klan Kosova.