Lajmet e fundit

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani tha se viti 2016 ishte një vit shumë dinamik dhe sfidues për shëndetësinë në Kosovë, e cila edhe gjatë këtij viti u ballafaqua me kufizime të shumta, duke filluar nga ato buxhetore e gjithashtu edhe me resurse humane dhe të infrastrukturës, por , gjithashtu edhe një vit në të cilën u shënuan edhe përparime evidente.
Kështu ai tha në konferencën e fund-vitit me media, në të cilën rezultatet e punës së Ministrisë i ka ndarë në disa kategori, përfshirë atë të: Hartimit të politikave dhe legjislacionit; Ngritjen e kapaciteteve institucionale në fushën e shërbimeve shëndetësore dhe investimet kapitale; Përgatitjet për funksionalizimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore; Fuqizimin e rolit të Odave të profesionistëve shëndetësor dhe bartjen e kompetencave te komuniteti mjekësor; Mbështetjen e donatorëve dhe bashkëpunimin ndërkombëtar; Shëndetin publik dhe të arriturat e tjera.
Në fushën e hartimit të politikave dhe legjislacionit, Ministri Rrahmani theksoi miratimin e Strategjisë Sektoriale Shëndetësore 2017-2021, të disa ligjeve e udhëzimeve administrative dhe miratimin e statutit të Fondit të sigurimeve shëndetësore dhe Rregullores për Menaxhim Financiar e Fondit të Sigurimeve shëndetësore.
Ndonëse, Qeveria e vendit, ka shtyrë fillimin e mbledhjes së premiumeve shëndetësore për korrik të vitit 2017, i pari i shëndetësisë në vend tha se MSH-ja ka kryer përgatitjet e veta për këtë proces, por ka theksuar se ky proces ka kërkuar një konsensus më të gjerë të shumë palëve, të cilin Qeveria e ka marrë në konsideratë.
“Në procesin më tutje, presim përkrahjen e të gjithëve, edhe të atyre që së fundi, për arsye edhe të paqena u pozicionuan kundër fillimit të sigurimeve shëndetësore. Ne jemi të bindur se ky proces, me gjithë vështirësitë që mund të parashikohen për fillim, sepse do të ndodhin për herë të parë pas luftës, do të rezultojnë me përmirësim të financimit shëndetësor dhe të cilësisë së shërbimeve shëndetësore”, shtoi ai, transmeton Klan Kosova.