Lajmet e fundit

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka folur në lidhje me krizën e energjisë elektrike dhe propozimin e ZRRE-së.
Ajo tha se rritja e paprecedentë e energjisë eletrike ka prekur edhe Kosovën në muajt e fundit, njofton Klankosova.tv.
"Zyra e Rregullatorit të Energjisë, si institucion i pavarur përgjegjës për rregullimin e sektorit dhe caktimin e tarifave, ka publikuar para dy ditësh raportin konsultativ për shqyrtimin e jashtëzakonshëm. Ky shqyrtim vjen pas dy elementeve kryesore, krizës energjetike botërore dhe rritjes së jashtëzakonshme dhe të paprecedent të çmimeve të energjisë elektrike në tregun evropian, e cila e ka prekur edhe vendin tonë, posaçërisht tani që ne detyrohemi të importojmë shumë gjatë muajve të dimrit dhe vendimit të ish-bordit të ZRRE-së të vitit 2017, i cili nën presion politik ka hequr bllok-tarifat, që ka shkaktuar rritjen në konsum, ku tani është kundërshtuar zëshëm nga ZRRE-ja".
"Pas shqyrtimit të situatës, ZRRE-ja ka propozuar rivendosjen e bllok-tarifës për amvisëritë dhe rritjen për të gjithë konsumatorët shtëpiakë dhe komercialë".
Tutje, Rizvanolli theksoi se propozimi i ZRRE-së nuk është final, duke shtuar se do ta trajtojnë dhe do të japin propozime aty ku duhet.
"Propozimi i ZRRE-së nuk është final dhe do ta trajtojmë, ku do të japim propozime shtesë aty ku ka nevojë".
"Kostot e importit janë ngritur shumë dhe që subvencioni është i pashmangshëm, ku kemi vendosur një subvencion prej 75 milionë euro për të mos lejuar që e gjithë barra t'u bie qytetarëve dhe bizneseve".