Lajmet e fundit

Kryeministri Avdullah Hoti nuk ka treguar, të enjten, nëse ai synon të kandidojë prapë për këtë post në zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen brenda pak javësh.
“Ti e di që unë nuk i përgjigjem pyetjeve hipotetike”, tha Hoti kur u pyet nëse ai vetë synon të jetë kryeqeveritar sërish.
Megjithatë se kush do të jetë pretendent për kryetar të qeverisë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës ku Hoti është nënkryetar, sipas tij, pritet të vendoset së shpejti.
Nga e hëna e 21 dhjetorit, Avdullah Hoti është shef qeverie në detyrë pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese e cila e shpalli të pavlefshme votën determinuese të deputetit Etem Arifi dhënë për krijimin e koalicionit aktual.
Pas publikimit të plotë të këtij aktgjykimi, ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, duhet ta shpallë datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme që duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga data e publikimit të Kushtetueses.