Lajmet e fundit

Deputetët kanë votuar pro propozim vendimit për riemërtimin e dy komisioneve parlamentare.
Me 84 vota për, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim është vendosur që Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione t'i ndryshohet emri në Komisioni Parlamentar për të Drejta të Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale gjatë Luftës dhe Peticione.
Tinka Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje, në emër të Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, e ka arsyetuar kërkesën për riemërtimin e këtij komisioni.
“Kjo iniciativë ka të bëjë me njohjen e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës edhe si kategori brenda titullit të komisionit që aktualisht quhet Komisioni Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione. Kjo është e nevojshme edhe nga aspekti i të drejtave të njeriut, por edhe proceduralisht ngase kategoria e viktimave të dhunës seksuale nga lufta e fundit në Kosovë është e njohur edhe me ligj".
"Numri i të mbijetuarave prej këtij krimi llogaritet që është rreth 20 mijë. Ka shumë organizata, shoqata e madje kemi edhe Agjenci Shtetërore që merren me statusin e tyre. Duhet të njihen edhe në përmbajtje të tjera institucionale. Kontributi më i madh për këtë kategori është njohja e dhimbjes dhe sakrificës së tyre, ndërsa dëmi më i madh që është bërë është mohimi i kësaj dhimbjeje”.
Në ndërkohë me 83 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim ka ndryshuar edhe emërtimi i Komisionit për Shëndetësi që tash e tutje do të quhet Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale./ Klankosova.tv