Lajmet e fundit

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, të martën ka mbajtur konferencën e fundvitit për media, në të cilën ka paraqitur të arriturat dhe sfidat me të cilat u përballur arsimi gjatë këtij viti.
Me këtë rast ai, duke numëruar me rend zhvillimet njëvjeçare në këtë sektor, përmendi disa që janë më me prioritet, si zbatimi i strategjisë për sigurimin e cilësisë për arsimin parauniversitar në Kosovë; ndërsa në kontekst të arsimit fillor dhe të mesëm Bajrami përmendi rishikimin dhe botimin e kurrikulës së arsimit parauniversitar, njofton Klan Kosova.
Gjatë konferencës u përmend vlerësimi i performacën së mësimdhënësve, për të cilën ministri tha se e ka ndërmend ta vazhdojë, megjithë kundërshtimin e sindikatave, sepse me këtë vlerësim nuk humbin asgjë mësimdhënësit, por kjo ndihmon që të ngritet cilësia në arsim.
Bajrami ka folur edhe për testin PISA dhe rezultatet jo të mira të nxënësve kosovarë në të, duke theksuar se pret që vendi, në testet e radhës të PISA, të përmirësojë renditjen - përmes një procesi në të cilin do të përfshihen të gjithë faktorët relevant.