Lajmet e fundit

66.4% e votave kanë rezultuar pro e 33.6% kundër në referendumin mbajtur sot ku irlandezët anuluan amendamentin e tetë që e bënte të jashtëligjshëm abortin në vend.
Kjo sipas grupeve të pro abortit shënon një nga arritjet më të mëdha për gratë në Irlandë, njofton Klan Kosova.
Sipas BBC, me një pjesëmarrje rekord prej thuajse 65%, votuesit treguan qartë se Irlanda kishte nevojë për këtë ndryshim të shumë pritur, diçka që nga kryeministri Leo Varadkar u cilësua si një revolucion i heshtur.
''Populli foli dhe na tha se kemi nevojë për një kushtetutë moderne për një vend modern'', deklaroi kryeministri pasi fitorja dërrmuese e anës që ai mbështeti fuqishëm u bë e qartë.
Vota në favor të lejimit të abortit i hap rrugën parlamentit irlandez që të krijojë ligj për këtë ndryshim dhe të sjellë një regjim shumë më liberal.
Aktualisht, aborti në Irlandë lejohet vetëm kur jeta e gruas është në rrezik, por jo në raste përdhunimi, incesti apo anormaliteteve fatale të fetusit.
Grupet antiabort që kundërshtonin ndryshimin e Kushtetutës pranuan humbjen, por thanë se nuk do të dorëzohen duke premtuar luftë në parlament dhe protesta nëse dhe kur klinikat e abortit të hapen në Irlandë, njofton Klan Kosova.
Ata e cilësuan referendumin një tragjedi me përmasa historike.