Lajmet e fundit

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Rexhep Hoti ka thënë se “PDK ka ideal dhe një ëndërr të madhe”.
“Vlerë dhe kapital për PDK-në, që nga formimi e gjer më sot, krahas kreativitetit të saj politik në rrugën e mbarështrimit dhe realizimit të agjendës njëqindvjeçare të popullit të Kosovës, ka qenë përpjekja e vazhdueshme e saj, titanike, për t’u ngritur mbi vetveten, për të reflektuar mbi gabimet e veta dhe për të dhënë shembullin e standardit të lartë të komunikimit me opinionin e gjerë, me partnerët e jashtë e të brendshëm politikë dhe jo vetëm, me shoqërinë civile, median, me individin dhe kolektivitetin e Republikës”, ka thënë Hoti përmes një statusi në llogarinë e tij në Facebook, njofton Klan Kosova.
Sipas tij, “PDK ka besuar dhe vazhdon të besojë fuqishëm në forcën e argumentit, në gjuhën e kulturës politike të komunikimit dhe e kultivon në cilësinë e të paprekshmes privatësinë e individit, të familjes, të nënës, të gruas, të intimitetit.”.
“PDK beson fuqishëm në nismën qëllim mirë të çdo subjekti politik që respekton ligjet, Kushtetutën dhe shenjtërinë e Republikës së Kosovës. PDK është grupim vullnetar politik që beson fuqishëm edhe në të drejtën për të përmirësuar gabimet e veta ndaj vetvetes, ndaj partnerëve të saj apo ndaj konkurrentëve politikë”.
“PDK është subjekt politik që ka ideal dhe një ëndërr të madhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës: mundësinë e perspektivës për të gjithë dhe pa dallim”.
Nënkryetari i PDK-së ka thënë se partia ku ai bën pjesë do të futet në garën e zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 22 tetor shumë e përgatitur.
“PDK do të hyjë në garën e ardhshme politike të zgjedhjeve lokale me përkushtim të pashoq, me besimin e madhe në vetvete dhe në Zot, duke shpalosur vlerat më të larta që i duhen qytetarit të Republikës, për t’i shërbyer atij me besnikëri dhe në pajtimi me ligjet dhe Kushtetutën e vendit”.