Revista javore serbe Nedeljnik ka publikuar përgjigjet nga intervista me Donald Trump, pasi që ky i fundit tha që raportimet e kësaj gazete, se kinse ai ka kërkuar falje për bombardimet e NATO-s që ndodhën në vitin 1999, janë të pavërteta, njofton Klan Kosova.
Nedeljnik të enjten publikoi një intervistë me kandidatin e Republikanëve për President të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në ballinë ishte vendosur titulli “Serbi, kërkojmë falje”.
Në intervistë, sipas Nedeljnik, Trump thoshte se ndërhyrja e NATO-s në Serbi ishte një gabim i madh.
“Para se gjithash më lejoni t’ju them se bombardimi i serbëve ishte një gabim i madh, pasi ata ishin aleatët tanë në të dy Luftërat Botërore”.
“Serbët janë njerëz shumë të mirë. Fatkeqësisht Administrata e Clinton ishte shumë e dëmshme për serbët, ata bënë një kaos në Ballkan. Unë kam kërkuar falje më parë tek serbët për aksionet dhe politikën amerikane nga Clinton-ët. Unë do t’i forcojë lidhjet me Qeverinë e Serbisë. Kur të bëhem President kursi i politikës tonë të jashtme do të ndryshojë për mirë”, shkruante gazeta se ka thënë Trump në një intervistë ekskluzive për ta.
Ky lajm u përhap në të gjitha mediat botërore.
Por, në të njëjtën ditë, të enjten, nga kampi i Trump-it u mohua që kandidati i Republikanëve të ketë thënë diçka të tillë.
“Trump kurrë nuk ka dhënë një intervistë për revistën javore Nedeljnik, siç është raportuar rrejshëm edhe nga Newsweek”, deklaroi këshilltari i lartë për komunikim i Donald Trump, Jason Miller, njofton Klan Kosova.
“Ky lajm është një rrenë e kulluar dhe ne po presim që të pranojmë tërheqjen e lajmit dhe një kërkim falje nga të përfshirët në këtë çështje”.
Pas këtyre deklarimeve, javorja serbe ka shkruar një artikull editorial për të shpjeguar intervistën me Trump dhe kanë publikuar edhe korrespodencat me kampanjën e kandidatit për President.
Sipas Nedeljnik, ata kanë kërkuar që të bëjnë intervistë me Trump tash e një vit, por e kishin të pamundur përmes rrugëve formale, prandaj ata kishin angazhuar një artist serb në SHBA i cili ishte i afërt me kampin e liderit të Republikanëve, njofton Klan Kosova.
Përgjigjet e Trump, siç shkruan revista, i kanë pranuar vetëm me nëntë tetor – përgjigje të cilat i kanë publikuar në sqarimin e tyre me anë të një artikull të redaksisë.
Arsye që Trump po e mohon këtë intervistë mund të ketë qenë, shkruan gazeta, fakti se intervista nuk u prit ashtu siç ishte menduar në fillim.
Besohet se Trump ka thënë ato fjalë për të përfituar nga votat e komunitetit serb në SHBA, që janë në një numër të konsiderueshëm në disa shtete, por gjërat kishin shkuar në të kundërt, pasi mediat botërore shkruanin se si Trump u kërkonte falje “atyre që kanë kryer gjenocid në Srebrenicë, ose Trump i kërkon falje “Kasapit të Ballanit, Slobodan Millosheviq".
Dhe sipas Nedeljnik, kjo nuk është hera e parë që Trump bënë diçka dhe më pas e mohon. Gjithsesi Nedeljnik shkruan se për çfarëdo keqkuptimi kërkojnë falje dhe se janë duke u angazhuar edhe më shumë që të qartësohet krejtësisht dilema.
Nedeljnik ka shkruar edhe se do të hulumtojnë nëse ndërmjetësi i tyre me Republikanët ka bërë ndonjë manipulim.
Tani pritet reagimi i kampit të Republikanëve, apo edhe vet Trump-it, pas publikimit të e-mail-it nga Nedeljnik, njofton Klan Kosova.
klankosova.tv