Lajmet e fundit

Reshjet e pazakonta të borës në shumë vende të Shqipërisë kanë arritur deri në bregdet.
Si pasojë e motit të ftohtë dhe temperaturave të ulëta, gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit ka pasur reshje dëbore ne qytetin bregdetar të Durrësit.
Shërbimet sinoptikane kishin parashikuar që edhe vendet e ulëta e bregdetare do të përfshiheshin nga reshjet e dëborës, shkruan gazeta Shekulli.
Durrsakët sot mund të shijojnë magjinë e dëborës në qytetin e tyre, një dukuri e rrallë kjo për këtë qytet por që vitet e fundit është kthyer në një fenomen natyror të shpeshtë.
Reshjet e dëborës kanë vazhduar edhe gjatë natës edhe në Tiranë dhe në disa zona të tjera. Deri tani në kryeqytet nuk raportohet për problematika në qarkullimin e rrugës, por bëhet thirrje për kujdes në zonën e Krrabës.
Reshje borë ka pasur edhe në Elbasan, ku në disa fshatra është pezulluar mësimi. Policia apelon për kujdes të shtuar në rrugën Elbasan-Librazhd-Qafë Thanë, ku ka prani bore.
Ndërsa në Dibër në disa zona bora arrin 1.5 metër, rruga Tiranë-Peshkopi është e kalueshme me zinxhirë.