Lajmet e fundit

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, mori pjesë në Tryezën “Shëndeti dhe rritja e qëndrueshme gjithëpërfshirëse" të organizuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Gjatë prezantimit të saj në këtë tryezë, Reshitaj deklaroi që mjedisi tashmë është një shqetësim global, ku përveç faktit që po dëmtohet planeti Tokë rrjedhimisht është në rrezik edhe bota bimore dhe shtazore, përfshirë këtu edhe vetë jetën e njeriut si qenie më e përsosur.
"Me qëllim të përmirësimit të cilësisë së ajrit, që rrjedhimisht nënkupton përmirësim të jetës së qytetareve ne tani jemi në fazën e ndryshimit të ligjit për mbrojtjen e ajrit nga ndotja, dhe nga ky ligj pastaj do të dalin udhëzimet administrative që rregullojnë sektorë të veçantë si dhe do të rregullohet çështja e shfrytëzimit të lëndëve djegëse duke përfshirë edhe thëngjillin".
"Në bashkëpunim me institucionet qendrore dhe lokale, donatorët dhe shoqërinë civile jemi duke u angazhuar në krijimin e zonave të reja të gjelbra, përmirësimin e kualitetit të ujit të pijes dhe monitorimin e rregullt të cilësisë së tij, reduktimin e përdorimit të thëngjillit si ndotës i ajrit, kontrollimin dhe reduktimin e shkarkimeve të emisioneve ndotëse në ajër, ujë dhe tokë nga industria, transporti dhe bujqësia", tha ajo.
Ministrja vlerësoi se natyra nuk ka nevojë për njeriun, por njeriu ka nevojë për natyrën, andaj investimi në mbrojtje të mjedisit është investim për jetë të shëndetshme për fëmijët tonë dhe brezat e ardhshëm.